E Diel, 1 Nëntor 2026

Korpusi i Vullnetarëve çel fushatën sensibilizuese: Denonco ndotjen!

Tiranë- Ka startuar sot pranë kodrave të liqenit artificial në Tiranë fushata sensibilizuese për denoncimin e ndotjes së mjedisit, një problem shqetësues ky për banorët e kryeqytetit por jo vetëm.

Pjesëmarrës në çeljen e siparit për sensibilizimin për të denoncuar ndotësit e mjediseve të përbashkëta publike ishin nënkryetraja e bashkisë së kryeqytetit, Jorida Tabaku, drejtuesi i Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve, levizjes më të madhe mjedisore në vend Mentor Kikia, përfaqësues të njësive minibashkiake si dhe anëtarë të strukturave policore.

Korpusi i Vullnetarëve në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Forumin e Mendimit të Lirë nisi sot në kryeqytet zyrtarisht fushaten sensibilizuese nën sloganin Mbaj pastër qytetin, denonco. Drejtuesi i Korpusit të Vullnetarëve, zoti Mentor Kikia në çelje të fushatës apeloi se të gjithë së bashku duhet ta mbrojmë qytetin nga ndotësit, duke denoncuar fenomenin.

Problemi i ndotjes është një nga problemet më të mëdha dhe më komplekse. Çdo qytetar ka detyrë që të mbajë pastër ambjentin përreth. Pyetja që na shoqëron çdo ditë është: Çfarë duhet të bëjmë ne për të mbajtur qytetin pastër? Ajo që çdokush duhet të bëjë është të denoncojë të gjitha rastet e ndotjes së mjedisit. Qyteti ynë nuk mund të mbahet i pastër duke i vënë çdo banori një pastrues dhe një polic nga pas. Ajo që ne vetë si qytetarë duhet të bëjmë është të bëhemi vetë pastrues dhe policë të njëri-tjetrit- është shprehur Mentor Kika.

Në fjalën e mbajtur nga nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku u theksua që në rast shkeljeje do të ketë gjoba për të gjithë ata që ndotin mjedisin.

Disa ditë më parë vetë kryetari i Bashkisë, zoti Basha ndërrmori një fushatë sensibilizuese me sloganin Tirana e pastër fillon nga ne. Sot jam këtu për t’ju thënë që Bashkia e Tiranës po bën përpjekje maksimale që kjo fushatë të kthehet në një nga çështjet kryesore. Kërkoj bashkpuninim maksimal të njësive bashkiake, të strukturave policore për të arritur një punë sa më frtytëdhënëse. Në rast shkeljeje nga qytetarët do të merren masa , madje do të ketë edhe penalitete deri në 500 lekë të reja- tha Tabaku.

Zonja Tabaku nuk la pa falenderuar edhe taksapaguesit për gadishmërinë e tyre për të paguar taksën e gjelbërimit. Taksa që sipas saj do të shkojnë vetëm për mbarëvajtjen e mjedisit.

Jo vetëm fushata sensibilizuese por edhe gadishmëria e pushtetit për të reaguar në raste denoncimesh nga qytetarët do të ishte frtytëdhënëse për t’i dhenë fund papastërtive të mjedisit.

Monitorimi i reagimeve të policisë bashkiake dhe zyrës së mjedisit ndaj denoncimeve të qytetarëve do të jetë një tjetër fokus i kësaj fushate.

Ne mendojmë që edukata qytetare vjen përmes dy mënyrave. Sensibilizimin qytetar dhe detyrimin ligjor. Të parën do ta bëjmë ne , të dytën bashkia. Mendoj se së bashku mund të mbjellim farën e një kulture aq të nevojëshme- mbylli fjalën e tij Mentor Kikia.

Vullnetarët e Korpusit do të shpërndajnë për banorët e Tiranës rreth 5000 fletëpalosje me qëllim sensibilizimin e tyre për të denoncuar ndotjen dhe ndotësit. Në to qytetarët mund të gjejnë numrat e bashkisë dhe njësive policore ku mund të depozitojnë ankesat e tyre.

Numrat ku mund të denonconi ndotjen:

0800 0888 (pa pagesë)

04/22 73 172 dhe 069 54 23 815

Joana Allushi/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›