1076 euro paga mesatare në AKP
.jpg)
Agjencia Kosovare e Privatizimit paguan shumëfish më shumë stafin e vet se sa që i paguajnë Komunat apo Ministritë.
Sipas buxhetit të vitit 2013 të miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, nga buxheti i përgjithshëm prej 8 milionë euro, për paga dhe mëditje ky institucion do t’i ketë në dispozicion 3.5 milionë euro, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve në AKP është 271.
Sipas një kalkulimi të thjeshtë, marrë për bazë buxhetin vjetor për paga dhe mëditje dhe numrin e përgjithshëm të të punësuarve, paga mesatare mujore në AKP për vitin 2013 do të jetë 1076 euro. Pagat mujore në këtë Agjenci të pavarur janë pothuajse dyfish më të larta se sa paga mesatare në Zyrën e Presidentes, të Kryeministrisë, apo 3 fish më të larta se sa në të gjitha Komunat e Kosovës.
Sipas Raportit Vjetor të Auditimit 2011, i cili është publikuar muaj më parë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), paga mesatare në Komunat e Kosovës është 368 euro, 451 euro në Ministritë e Qeverisë së Kosovës, 490 euro në Zyrën e Kryeministrit, 692 euro në Zyrën e Presidentit, 1543 euro në Kuvend dhe 2913 e anëtarëve të Kuvendit.
Në deklarimin zyrtar të pasurisë për këtë vit, drejtori menaxhues i AKP-së, Shkëlzen Lluka, ka deklaruar se merr mbi 45 mijë euro pagë vjetore, zëvendësja e tij, Mrika Tahiri, merr mbi 43 mijë euro në vit. Sa kjo e fundit paguhet edhe zëvendësdrejtori tjetër i AKP-së, Naim Avdiu, shkruan "Zëri".
Sipas raporteve zyrtare të buxhetit të publikuar në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, buxheti i përgjithshëm i AKP-së për këtë vit është 4.76 milionë euro, ndërsa për vitin tjetër do të jetë mbi 8 milionë euro.
Mirëpo, në AKP thonë se buxheti i tyre për këtë vit ka qenë 8 milionë e 79 mijë euro, e jo 4.7 milionë euro, pasi që janë financuar edhe nga Komisioni Evropian.“Buxheti i përgjithshëm i AKP-së për vitin kalendarik 2012 është në shumën 8.079.010 euro, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve që paguhen nga buxheti i AKP-së këtë vit është 271”, thekson zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.
Sipas tij, AKP, sipas Ligjit të saj nr. 04/L-034, i mbulon shpenzimet e veta të përgjithshme administrative dhe operative me pesë për qind (5 %) nga të gjitha të hyrat e pranuara si rrjedhojë e çfarëdo shitje në të kaluarën apo të ardhmen.
Ai ka shtuar se AKP për t’i mbuluar shpenzimet e veta të përgjithshme këtë vit e ka bartur në thesar shumën prej 8.200.000 euro, ndërsa Qeveria nga kjo shumë e bartur ka kompensuar pjesën e dhënë nga buxheti i Kosovës për AKP (sipas një marrëveshjeje me mirëkuptim) për periudhën janar-gusht në shumë mbi 4 milionë euro dhe pjesa tjetër e mbetur nga shuma 8.2 milionë euro do të shfrytëzohet nga AKP për operimet e saja deri në fund të vitit kalendarik.
“Për vitin e ardhshëm 2013 buxheti i përgjithshëm i AKP-së është paracaktuar të jetë në shumën 8.048.000 euro, apo 31.010 euro më i ulët se sa i këtij viti. Ndërsa numri i të punësuarve është paraparë të jetë po kaq, 271”, potencon Kaloshi.
Përndryshe, Ligji mbi Shërbyesit Civilë numëron se te shërbyesit civilë bëjnë pjesë punëtorët e administratës së Kuvendit të Kosovës, Policisë së Kosovës, Shërbimit Doganor, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues, Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor, si dhe punëtorët e shërbimit diplomatik. Në shërbyes civilë nuk bëjnë pjesë të emëruarit politikë dhe as ata që janë emëruar nga të emëruarit politikë. Agjencitë ekzekutive dhe ato të pavarura hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij ligji./Indeksonlie/
Buxheti i AKP për vitin 2013
271 punëtorë
3.5 mil. € për paga dhe mëditje
4.2 mil. € për mallra dhe shërbime
98 mijë € për komunali
80 mijë € subvencione dhe transfere
170 mijë € për shpenzime kapitale