E Shtunë, 31 Tetor 2026

WikiLeaks: PDSH, parti gangsterash

SHKUP- Në kabllogramin ambasadës amerikane në Shkup, të shtatorit 2008, pasqyrohet shpartallimi i një pjese të PDSH-së me ikjen e nënkryetarit Imer Selmanit dhe disa ithtarëve të tij, që çuan në formimin e subjektit të ri politik DR.

Sipas kabllogramit, nënkryetarët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Imer Selmani dhe Ruzhdi Matoshi e braktisën PDSH-në “për të formuar një tjetër subjekt politik të bazuar në ‘ide dhe vlera’, duke e thyer kështu partinë e gangsterëve me lider Menduh Thaçin”.

Siç u ka thënë Selmani zyrtarëve amerikanë, pakënaqësia me kreun e PDSH është shfaqur në një takim partiak më 28 gusht, ku Thaçi ka ngulfatur diskutimin lidhur me një studim të brendshëm të partisë që fajësonte atë për dështimet e njëpasnjëshme të PDSH-së, përfshirë edhe një tjetër humbje ndaj BDI-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008.

Selmani ka thënë se vetëm ai, Matoshi e Sulejman Rushiti u ngritën për ta qortuar Thaçin e për të kërkuar ndryshime.

Pas ndarjes, Selmani akuzonte Thaçin për nxitjen e një “gjuetie shtrigash” për t’i frikësuar ata të cilët kanë ikur ose mund t’i bashkohen partisë së re.

Vëllezërit famëkeq Krasniqi (njëri nga ata Agim Krasniqi, në pritje për tu burgosur nën akuzat e dhunës serioze zgjedhore në emër të PDSH-së në qershorin e kaluar), e kanë thirr kryetarin e komunës së Sarajit, Bekim Fazliun, duke e kërcënuar për t`ia thyer kockat. Fazliu i ka shkruar Ambasadës më 10 shtator se përpjekjet për ta frikësuar kanë vazhduar.

Thaçin ka rekrutuar kreun e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, për ta dënuar Selmanin (kreu i BFIM e kishte refuzuar këtë). Selmani ka treguar se ngacmimet kanë ndodhur gjatë orëve të vona të natës, se ka marr telefonata kërcënuese dhe se banditët kanë kaluar afër shtëpisë së tij.

Thaçi këto akuza i ka mohuar. Ai ka thënë se dezertimet nuk paraqesin rrezik për partinë e tij, ndërsa ka akuzuar Selmanin për formimin e një komploti me kryeministrin Gruevski.

“Është shumë herët të thuhet nëse ky është fundi i PDSH-së dhe fillimi i një epoke të re në politikën shqiptare në Maqedoni. Ky mund të jetë një zhvillim i mirëpritur, por tani për tani, prioritet i yni është të dërgojmë një mesazh të qartë për të dyja palët se ky divorc duhet të jetë i qetë”, thuhet në kabllogramin e shtatorit 2008, të ambasadorit Philip Reeker.
(m.a/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›