E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 deputetë të PASOK e Demokracisë së Re, s'do t'i votojnë masat

ATHINE - Papandreu iu bëri thirrje deputetëve të PASOK, të votojnë paketën e masave nesër në Parlament, në këmbim të ndihmës financiare të domosdoshme për vendin.

Para deputetëve të PASOK, kryetari i partisë Jorgos Papandreu theksoi se partia e tij ka mbajtur gjithmonë mbi supe fatet e vendit dhe tani të gjithë duhet të marrin sërish përgjegjësitë, duhet të luftojnë të shpëtojnë Greqinë dhe qytetarët e saj. “Para nesh është dilema; të sakrifikojmë shumë apo të humbasim gjithcka? Jemi shumë pranë burimit për të pirë ujë” – tha Papandreu, ndaj ta marrim paketën e ndihmës, të zvogëlojmë borxhin”. Papandreu sqaroi se “Falimentim do të thotë dështim i plotë i shtetit, do të thotë që shteti të mos ketë mundësi të paguajë pagat, pensionet, spitalet, shkollat, rrugët. Falimentim do të thotë të rrëzojmë standardin tonë të jetesës". Ai kujtoi gjithashtu se me falimentimin Greqia del nga Eurozona dhe kjo është shumë domethënëse për cështjet kombëtare të Greqisë. 

Ndërkaq në mbledhjen e grupit parlamentar të Demokracisë së Re, kreu i partisë Antonis Samaras kritikoi qeverinë e PASOK e cila, sic tha ai, ishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për pasojat katastrofike të memorandumit.

Sipas tij, Greqia përballet me një rrezik të madh, ku rrezikohet liria, pavarësia, ekzistenca. “Receta e Memorandumit të masave ishte gabim katastrofik dhe ne nuk i ndryshojmë pozicionet tona, por mund të parandalojmë rrezikun”, tha Samaras. Ai gjithashtu njoftoi se DR do të kërkojë shpërndarjen e menjëhershme të parlamentit dhe zgjedhje të reja menjëherë pas marrëveshjes për shkëmbimin e bonove për prerjen e borxhit. Samaras shprehu frikën se nëse zgjedhjet nuk zhvillohen, në Greqi do të shpërthejnë trazira sociale, të cilat do të transmetohen edhe në Evropë. "Kjo tani është një Evropë e dënimit dhe jo një Evropë e solidaritetit", tha ai.

Mbledhja e grupeve parlamentare të PASOK dhe Demokracisë së Re zhvillohen para votimit të masave nesër në Parlament, por pavarësisht mesazhit të qartë, nga të dy krerët e partive më të mëdha, tashmë numërohen 11 anëtarë të PASOK-ut dhe të Demokracisë së Re, që kanë deklaruar se nuk do të votojnë nesër në parlament për masat e reja. 

Ndërkaq sot u zhvilluan në ditën e dytë në Athinë, protestat e sindikatave dhe lëvizjes PAME, ku është bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive në tubimin e nesërm në orën 17:00, kur parlamenti do votojë masat. Në mëngjes dy parulla ishin varur në Akropol nga anëtarët e Partisë Komuniste, me sloganin "Poshtë diktatura e monopoleve të BE", të shkruara në greqisht dhe anglisht.
Lidhje te tjera Greqi, qeveria miratoi paketën e masave financiare

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›