E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 dhjetor 1990, këshillat e Ramiz Alisë për studentët

Si e trajtoi shtypi qeveritar takimin e pasuesit të Hoxhës me përfaqësinë e studentëve

11 dhjetori 1990 do të ishte një moment kthese në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Pas disa ditëve protesta, që kishin gjetur si pretekst kushtet mizerabël të jetesës në Qytetin Studenti, studentët morën nga lidershipi komunist i kohës sinjalin e parë të tërheqjes. Ishte një fitore jo e vogël, duke pasur parasysh se, për tri ditë, regjimi kishte provuar të mos dorëzohej, duke dërguar policët, sigurimsat, apo duke u hedhur ndonjë “kockë” drejtuesve të protestës. Dita e 11 dhjetorit 1990 nisi me komunikimin se Ramiz Alia priste një përfaqësi prej 30 vetash në takim, në mbrëmje, dhe çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet. Autobusi u nis në orën 18.00 me një përcjellje madhështore dhe pas dy orësh, nëpërmjet medias qeveritare, e vetmja që ishte në atë kohë u komunikua deklarimi i pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH-së. Të nesërmen, pas mitingut, në Qytetin "Studenti", u vijua me hartimin e dokumenteve prezantuese të partisë së parë opozitare, PD-së, me mbledhjen e 365 nënshkrimeve të domosdoshme për themelimin e një partie. 194 firmëtarë ishin studentë. Në orën 16.00, në një miting historik madhështor, u shpall themelimi i PDSH-së, si forca e parë opozitare antikomuniste dhe u komunikua programi minimal i saj.

Takimin e 11 dhjetorit, shtypi qeveritar i asaj kohe, e komentonte si një lëshim që PPSH-ja dhe kasta drejtuese po i bënte rinisë në të “mirë të vendit”, duke e u ndalur gjerë e gjatë te këshillat e Alisë dhe duke kaluar shumë shkurt kërkesat e studentëve.

Mbrëmjen e 11 dhjetorit, shoku Ramiz Alia, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, priti në Pallatin e Brigadave përfaqësuesit e studentëve të Universitetit, të cilët kërkuan t’u dëgjoheshin problemet dhe shqetësimet që kanë. Në fillim, shoku Ramiz Alia i njohu studentët me zhvillimin dhe vendimet e Pleniumit të 13-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili vlerësoi situatën aktuale dhe rekomandoi masat në të ardhmen. Studentët i vlerësuan vendimet e Pleniumit. Unë, personalisht, dhe gjithë udhëheqja, tha shoku Ramiz Alia, kemi ndjekur çdo hap tuajin gjatë këtyre ditëve. Që në fillim unë jam shprehur për dialog, bisedime, diskutime me ju. Të shtunën në ora .1.30 të mesnatës, unë edhe u takova me delegacionin tuaj. Unë u thashë ju që të jeni të qetë, që shqetësimet dhe kërkesat tuaja të zgjidheshin përmes diskutimeve normale dhe demokratike. Tani, kur unë jam në takim me ju, unë kam të njëjtin opinion, që është, se duhet zgjidhur gjithçka me qetësi dhe përmes mirëkuptimit, në të mirën e vendit dhe të gjithë popullit. Ne nuk duhet t’u lëmë rrugë të lirë elementëve të këqij dhe provokatorëve, të cilët nuk i duan të mirën popullit, as të mirën e rinisë, as të mirën e zhvillimit të vendit, as lirisë së atdheut, as demokratizimit të jetës. Rruga drejt demokratizimit nuk është si bulevard. Ne të gjithë duhet ta ngulim këtë në tru. Kjo na bën thirrje për kulturë, tolerancë dhe rend. Demokracia nuk pranon kushte, as imponime, as kushtëzime. Ajo thërret për dialog, argumente, logjikë, norma për sjellje të mirë dhe etike. Të gjithë njerëzit duhet ta ngulitin në kokë kur flitet për pluralizëm, qoftë kur flitet për pluralizëm mendimi, ose për pluralizëm organizatash, që thirret pluralizëm partiak. Secili në vendin tonë, çdo qytetar i ndershëm, duhet të ketë interesat e atdheut, interesat e njerëzve mbi të gjitha. Gjithçka duhet të matet me fatin e atdheut, me lirinë dhe pavarësinë e tij. Kjo është pse ne duam unitet, ne duhet të marshojmë përpara të bashkuar, ne duhet të punojmë krah për krah.

Unë shpreh besimin tim dhe bindjen e plotë se rinia jonë, pikësëpari rinia studentore, që është pjesa më e gjallë dhe më e kulturuar, që është një aset i çmuar për popullin tonë, që klasa punëtore, populli ynë, do të promovojë rrugën e partisë për demokratizimin. Procesi i demokratizimit thërret për kontributin e secilit, punëtorëve, fshatarëve, studentëve. Por asgjë nuk bëhet në një ditë. Ne duhet të shkojmë drejt Europës, por me asetet tona kulturore, me traditat tona, origjinale dhe jo me kopjet e këqija të të tjerëve. Ja pse ne duhet të jemi të pjekur, pa ndaluar drejt rrugës së demokratizimit, që është rruga e interesave për atdheun, socializmin, popullin.

Studentët dhanë mbështetjen e tyre për reformat demokratike sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se ky ishte një nga qëllimet e manifestimeve të tyre. Mes të tjerash ata bënë thirrje për pluralizëm politik, publikimin e dokumenteve të KSBE-së, adoptimin e masave efektive për të tejkaluar vështirësitë ekonomike, etj. Përfaqësuesit e studentëve i raportuan shokut Ramiz Alia se ata kishin krijuar organizatën politike të studentëve dhe intelektualëve të pavarur. Shoku Ramiz Alia u tha studentëve se kjo duhej bërë sipas ligjeve në fuqi, duke e çuar kërkesën për legalizim në Ministrinë e Drejtësisë.

Dialogu vazhdoi për të bërë të qartë disa probleme dhe çështje që shqetësojnë rininë dhe të gjithë vendin, siç është pluralizmi politik, rruga për zhvillimin e ekonomisë sonë kombëtare dhe problemet e shkollës së lartë. Në vijim të bisedës, shoku Ramiz Alia dha shpjegime për zgjedhjet e reja për në Kuvendin Popullor. Ai, gjithashtu, foli për rëndësinë e shtetit juridik, dhe veçanërisht në vëzhgimin e ligjeve prej të gjithë qytetarëve, institucioneve, drejtuesve dhe gjithsecilit, duke nisur me mua, tha ai, me qëllim ruajtjen e rendit publik. Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, shoku Ramiz Alia u shpjegoi atyre përmbajtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilat bashkë me të tjerat, konsistojnë në vëzhgimin e ligjit në mënyrë korrekte në një rrugë të civilizuar. Çdo akt, madje edhe demonstrimet, tha ai, duhet të respektojnë kufijtë e ligjit, ndërsa incidentet mund t’i errësojnë, çka është e padëshiruar nga të gjithë. Më pas, shoku Ramiz Alia foli për aktualitetin në çështjet ekonomike, për të cilat studentët donin të dinin opinionin e tij. Duke shpjeguar këtë, ai u ndal në dy momente: Nevojën e shtrëngimit të disiplinës në punë që, punëtorët, fshatarët, zyrtarët dhe rinia, të japin kontributin maksimal; e dyta, nevoja e shtrëngimit të stabilitetit politik të vendit. Ne nuk duhet të harrojmë, tha shoku Ramiz Alia, se edhe të huajt, nuk mund të investojnë, nëse situata politike e vendit nuk është stabile. Të rinjtë duhet të ndjekin mësimet, dhe të mos dalin kundër rregullores së shkollës; klasa punëtore duhet të shkojë nëpër qendrat e punës, dhe jo të dalë kundër Kodit të Punës; drejtuesit duhet të ndjekin disiplinën në punë, dhe shokët tuaj dhe ju, tha shoku Ramiz Alia, duhet të shkoni menjëherë nëpër auditore. Në fund të bisedës, ai u kërkoi studentëve të pranishëm në takimin me të që, së bashku me studentët e tjerë, të dëgjonin të plotë bashkëbisedimin e regjistruar që u bë në Pallatin e Brigadave.

Komunikatë

Mbledhja e Pleniumit të 13-të të Komitetit Qendror të PPSH-së

Në 11 dhjetor 1990, u mblodh Pleniumi i Komitetit Qendror të PPSH-së. Ai u drejtua nga shoku Ramiz Alia dhe ekzaminoi situatën aktuale dhe rekomandoi masat në të ardhmen. I shqetësuar për situatën ai vendosi:

1-Kongresi i 10-të i zakonshëm i PPSH-së do të mbahet në qershor 1991.

2-Takimi kombëtar i partisë do të mbahet më 26 dhjetor 1990, për të përcaktuar platformën elektorale të partisë dhe për të caktuar listën e kandidatëve për deputetë në Kuvendin Popullor.

3-Pleniumi vendosi të lirojë nga funksionet anëtarët e byrosë politike, shokët Muho Asllani, Simon Stefani, Lenka Çuko, Foto Çami, Hajredin Çeliku, dhe shokët Qirjako Mihali e Pirro Kondi.

4-Pleniumi rekomandoi për Kryetarin e Këshillit të Ministrave, që, në përputhje me situatën aktuale, t’i propozojë presidiumit të Kuvendit Popullor ndryshimet e nevojshme në qeveri.

5-Pleniumi ishte i mendimit se krijimi i organizatave të pavarura politike, sipas ligjeve në fuqi, është në të mirë të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe të pluralizmit.

Përshëndetje e Presidentit të Republikës, Ramiz Alia, drejtuar rinisë studentore

Dhjetor 1991, kur Ramiz Alia falënderonte dhjetoristët

Tiranë, 9 dhjetor 1991- Në përvjetorin e dhjetorit, tashmë historik të vitit 1990, ju përshëndes juve, të rinj e të reja studentë, që me aq patriotizëm dhe sinqeritet, me aq konsekuencë dhe pastërti, luajtët një rol vendimtar në vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Ishit ju studentët, që duke i kuptuar kërkesat e kohës, dhe duke ju përkushtuar atyre pa rezervë, bëtë të mundur vendosjen e pluralizmit partiak, që i hapi rrugë reformimit radikal të shoqërisë sonë. Rruga që kemi nisur, arritja e plotë e demokracisë, kërkon shumë punë, dije e kulturë. Për këtë, asnjëherë nuk u duhet trembur vështirësive e pengesave që shoqërojnë zhvillimet demokratike, sado të mëdha qofshin ato. Në kapërcimin e këtyre vështirësive, roli i rinisë, roli i intelektualëve, është i pazëvendësueshëm. Prandaj, pikërisht juve ju takon të nxitni zhvillimet përparimtare dhe reformuese në çdo fushë, duke sqaruar popullin se demokraci do të thotë ndërtim dhe jo shkatërrim, se demokracia nuk ka asgjë të përbashkët me anarkinë, se demokraci do të thotë respekt ndaj vlerave intelektuale e kulturore, të realizuara me aq mund. Kam besim të plotë se, një dhjetor më pas, ju do të jeni bërë më të ndërgjegjshëm se përveç impulseve të moshës, atdheu pret nga ju vlerat tuaja të vërteta intelektuale, qartësinë dhe vizionin e kthjellët për të ardhmen, për të cilat ka aq shumë nevojë populli ynë në këto çaste të vështira, por historike.

8.12.1991

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›