Çimazh do të ketë prerja shqiptare e euros?
Destruksioni dhe dekonstruksioni i identitetit në shkrimin e Lubonjës
Në kolonat e gazetës “Shekulli”, të datës 2/12/08, lexova edhe shkrimin e Fatos Lubonjës, me një titull-ftesë mjaft impenjativ: Fac Sapiens Liber Eris, pra, Bëhu i ditur, që të jesh i lirë.
Mbasi vendos një kurorë dafinash fort të sofistikuar përmbi sipërmarrjen e Schmitt-it e Klosit për të minuar identitetin arbëror të Skënderbeut, që sipas tij është pjellë e “nacional-komunizmit”, Fatos Lubonja ndalet në këtë shkrim te disa prej atyre që reaguan ndaj sipërmarrjes së lartpërmendur, mes të cilëve edhe unë.
Në këtë shkrim, Lubonja shpalos një varg keqinterpretimesh të koncepteve, me të cilat rreh që të argumentojë, arsye për të cilën, keqinterpretimi i fjalëve të mia, dhe jashtë kontekstit në të cilën i përdor (që do të thotë se ai dhunon një nga “rregullat” e dekonstruksionalizmit - “le texte et le con-texte” - shprehet Jacques Derrida-ja), nuk është tjetër, përpos se një interpretim nën dritën e keqkuptimit dhe mosnjohjes në themel të koncepteve, me të cilat rreh që t’i lexojë fjalët e mia, dhe jo nga dashakeqësia, besoj unë me zemër në dorë.
Në këto rreshta nuk prirem aspak nga ndonjë vetëmbrojtje egoistike, as nga ndonjë ndjesi viktimiste a viktimse që vërehet mjaft qartazi në rreshtat e shkrimit në fjalë, dhe nga “syzet” leximore që përdor Lubonja në të; ajo që më shtyu më së tepërmi të ndalem te ky shkrim i Lubonjës, nuk është as ngjyresa e mbithekshme “hitleriane” që paskësh pikasur në fjalët e mia, dhe as “ngjethja” e tij patetike ndaj thënieve, kinse të miat, si një skënderbejane e shek XXI (të jetë lajthitje e fajshme a e pafajshme e Lubos kjo, që thëniet e Edgar Morin-it m’i përvesh mua paq?!); ajo që më yshti t’i kushtoj hapësirë e kohë këtij shkrimi lidhet me qartësinë dhe drejtkuptimin e koncepteve; qartësimi dhe drejtkuptimi i tyre do të na nxjerrin vetvetiu në pah edhe kontradiktat që gjallojnë në “argumentimet” e Lubonjës.
Më së pari fare, Lubonja ka nisur të përdorë mjaft shpesh termin “dekonstruksion” në shkrimet e tij; kohë më parë, duke e pasë përdorur thjesht si term, dhe krejt kalimthi, mendoja se Lubonja e përdorte këtë term në kuptimin dhe sipas të tërë ndërlikimeve, me të cilat e vesh Jacques Derrida-ja, themeluesi i dekonstruksionalizmit. Në shkrimin e fundit, për herë të parë, dhe jo pa habi (e mendoja krejt ndryshe Lubon në hedhjepritje termash)vërejta se për Lubonjën “dekonstruksioni” qenka i barazvefshmi semantik, konceptual dhe ideologjik i “destruksionit”. Nuk dua të ndalem gjatë në qartësimin e detajuar të njërit, apo tjetrit term, dhe kjo ngaqë nuk dua që ta lodh lexuesin e nderuar nëpër labirintet e mendimit filozofik dhe ideologjitë që lëvizin pas tyre. Ajo çka vlen të theksoj, sidoqoftë, është fakti i thjeshtë se “dekonstruksion” - neologjizëm i ngjizur nga Derrida-ja, lindi si nevojë e ngutshme për të shmangur çdo ngjyresë “mohueshmërie” dhe “vandalizmi” që mund të përftonte nga keqinterpretimi i termit “destruksion” - “Destruktion”, i përdorur nga Heidegger-i në “Sein und Zeit”. Si tek Heidegger-i, edhe te Derrida-ja, termi shenjon një zhvendosje topologjike; të dekonstruktosh do të thotë të rrahësh ta zhvendosësh “shenjën” (simbolin, tematikën, ideologjinë etj.) në një hapësirë të re, në një hapësirë larg ngrirjes apo “stukturave” të ngrira, për t’i dhënë kuptimit të shenjës jo vetëm një zgjerim, por edhe një gjallëri në atë që përbën edhe kuptimin e saj të thelbët dhe parak; të dekonstruktosh do të thotë, jo ta shkatërrosh atë që qëndron si e vërteta e parëhershme e “simbolit”, por t’i japësh të vërtetës që struket brenda tij një natyrë aktive, një gjallëri, një aktualitet. Kjo zhvendosje topologjike shpjegohet më së qarti, qoftë nga Heidegger-i, i cili këmbëngulte në karakterin kurativ të “de”-së (“është krejt e ndryshme nga “Abbau”, na thotë Heidegger-i, që në “Hyrje në Metafizikë”, duke iu referuar pikërisht kësaj çështjeje, shprehet: “de-struktimi i metafizikës, për ne nuk do të thotë “shkatërrim” apo “asgjësim” i metafizikës; një sipërmarrje e tillë do të ishte vërtet foshnjërake. De-struktimi i metafizikës, për ne do të thotë nxjerrja e saj në një hapësirë të re, pa e cenuar në thelbin e saj; tek e fundit, një interpretim i ri i saj”. “Të de-konstruktosh”, - shprehet Jacques Derrida-ja - “do të thotë ta zhvendosësh gjithçka në hapësirën e tjetërsisë, aty ku përfton një kuptim të ri, pa u dëmtuar në thelbin e vet, që mbetet si një gjurmë, si një injeksion mistik”. Në shkrimin e Lubonjës është e pamundur ta kuptosh “dekonstruksionin” sipas kësaj qasjeje konceptuale. Për të, “dekonstruksioni” do të thotë “destruksion”, “shkatërrim”, madje, të tipit më komunist të mundshëm, përmes një “revolucioni” që duhej të kishte nisur me kohë. Dhe këtë e kërkon ngulmues në emër të Evropës, “të integrimit”. Kjo më bën të çuditem; pa merrni në dorë euro-n, që mbart, veç të tjerash, edhe një vlerë “përbashkimi”; te prerja e euro-s jepet shpirti i Evropës së Bashkuar: bashkim në ndryshueshmëri, ku kjo ndryshueshmëri jepet si “respektim i identiteteve përkatëse të vendeve të Bashkimit Evropian”. Merrni një euro të Greqisë, do të shihni, nga njëra anë, një imazh të përbashkët, atë të Evropës së Bashkuar, ndërsa nga ana tjetër, do të shihni imazhin e Venizelosit; te prerja spanjolle do të shihni Cervantes-in; te prerja austriake, Mozart-in; te prerja italiane, Dante-n. Ç’do të thotë kjo? - sipas Lubonjës, që vendet e Evropës së Bashkuar janë ende në shtjellat e kultit romantik të individit (dhe fjala është për “individin” që ai mbron nga “kolektivi”, ndërkohë që, pak më lart, pikërisht ky “individ” (dhe individualitet) hidhej poshtë si i papranueshëm në emër të integrimit. Pikërisht këtu qëndron problemi i Lubonjës, arsye për të cilën ia vlen të ndërmarrim një qasje “de-konstruksionaliste”, që do të thotë: ta ngremë problematikën e tij në një hapësirë më të gjerë dhe më të epërme, duke u kapur fort pas kontekstit të “integrimit”, që sot mishërohet nën flamurin e “globalizimit” apo “botërizimit”.
Nga dekadat e fundit të shekullit të kaluar e këndej, po kthehemi gjithnjë e më tepër në dëshmitarë okularë të një shndërrimi rrënjësor dhe shumëplanësh, duke nisur nga pamësitë dhe roli i teknologjisë dhe i shkencës, deri tek pamësitë themelore të antropologjisë; dita më ditë, në skenën e zhvillimeve dhe të ndërgjegjes historike po hasemi me një model të ri njerëzor, me njeriun e komunikimizuar dhe komunikimizues, që Michel Foucault-i e përshkruante “souverain soumis et spéctateur observé”. Revolucionet e hovshme dhe të njëpasnjëshme në domenet e informatikës dhe të informacionistikës (kompjuteristika dhe teknologjitë numerike), e shpërhapën njeriun drejt një komunikimi mbarëplanetar; fjala është për një rrjetë arteriesh kumunikimi ndërkontinental, ndërshoqëror dhe ndërkulturor, e cila po e shtyn dora-dorës të kahet drejt një procesi të ri, një procesi kompleks dhe të pandalshëm krijimtarie dhe prodhimtarie, shndërrimesh dhe metamorfozash marramendëse. Shtrirja mbarëplanetare e kësaj rrjete arteriesh e formash nga më të larmishme të komunikimit, i hapi udhë jo vetëm globalizmit, por edhe formave e horizonteve të reja të qenies, të jetës dhe të të menduarit (tkurrja që pëson perceptimi i kohës dhe hapësirës luan jo pak rol në këtë drejtim), duke i dhënë shkas deri edhe krijimit të “botësive” (botës të vështruar si një rrjetë marrëdhëniesh ndërsendësore). Krijimi i këtyre “realiteteve” të reja, pavarësisht zgjerimeve horizontale, nxori në sipërfaqe një varg problemesh, një varg tkurrjesh vertikale, të mishëruara në mënyrë simptomatike në marrëdhëniet mes “identitetit” dhe “Tjetrit”. Vështruar nga kjo qasje, globalizimi dhe tërë përftesat që lëvizin pas tij, planetare apo kontinentale qofshin (planetarizimi, evropianizimi, perëndimorizimi, etj.), na hap përballë një vargu problemesh dhe pikëpyetjesh intelektuale, ekonomike, shoqërore, politike dhe, mbi të gjitha, identitare, e lidhur kryesisht me të ardhmen, me fatin që i pret veçantësitë që shfaqin kulturat mes njëra-tjetrës. Dhe, në këtë vështrim, pyetja që shtrohet më së shpeshti, është: mos ndoshta “identitetet” kulturore duhen fshirë nga faqja e dheut, për të krijuar një identitet të vetëm, një identitet të formësuar, të formatizuar dhe të formalizuar, sipas logjikës së “dorëlëshimit”, në emër të ideologjisë dhe kushtëzimeve të uniformitetit dhe nën flamurin e kohës, i cili të nesërmen do të ndryshojë sërish, e kjo si rrjedhojë e ligjësive të brendshme të dialektikës (qoftë edhe në kuptimin marksist: - çdo epokë ka flamujt e vet)?
E përvijuar kësisoj, çështjet e ngritura nga Lubonja i kapërcejnë vetvetishëm kufijtë e ngushtë gjeografikë, për t’u shtratëzuar dhe shtresuar në një topologji më të epërme dhe më nevralgjike. Më konkretisht, në hapësirën ku lindin dhe gjallojnë dikotomitë e njohura mes tradicionalistes dhe modernistes, mes autenticitetit dhe jo-autenticitetit, dhe, sidomos, mes parakësisë (“gjurmës” së origjinës, “injeksioni” të kryehershëm derridian) dhe tjetërsimit. Nëse do të lëvizte në këto rrafshe, dhe të kapej pas këtyre problemeve dhe çështjeve nevralgjike, Lubonja do të duhej të tregonte nëse është e nevojshme që shqiptarët të kalonin në proces tjetërsimi (të vlerave, të identitetit etj.), në emër të një të ardhmeje më të gjatë dhe më të qendrueshme. Porse, siç vërejta më lart, çdo epokë ka flamujt e vet; që do të thotë se edhe epoka e globalizmit do të ketë një fund. Kjo e vesh tollovitjen e Lubonjës me papërgjegjësi ndaj brezave dhe me një pragmatizëm egoistik të tipit “pas meje, u bëftë gjëma!”.
Është pikërisht ky pragmatizëm egoistik që e shtyn drejt frymës utilitariste, me të cilën e trajton Skënderbeun, dhe jo thjesht ndonjë qejfmbetje ndaj Mira Meksit, apo ndonjë kahje për të kundërshtuar Kadarenë. Po si qëndron e vërteta, sidoqoftë? - Fare thjesht, sipas meje. Lubonja duhet të qartësojë konceptet, atë të “de-konstruksionit”, por edhe atë të “integrimit”. Integrimi është vërtet një proces i domosdoshëm, një marrëdhënie e pashmangshme me “Tjetrin”. Por si mund të ketë integrim, një marrëdhënie me “Tjetrin”, pa pasur më parë një marrëdhënie me “vetveten”? Apo e kemi harruar se “Tjetri”, nga ana e tij shfaqet “identitet” dhe marrëdhënia mes “identitetit” dhe “Tjetrit” nuk është as e njëkahshme, as fantazmagorike, as me një jo-identitet, por është marrëdhënie me një “identitet tjetër”. Nëse nuk marrim parasysh këtë, atëherë marrëdhënia me “Tjetrin” do të përfundojë, në rastin më të mirë, në një “egologji” (që përkon me tjetërsimin, qoftë edhe epistemik, të “Tjetrit” - dhe Lubonja e ngatërron “in-dividuum-in” me “unin” e brumimit të Max Stirner-it), apo në një “shkatërrim”, në një “vetëvrasje” të “identitetit”, në një tjetërsim të tij për hir të “Tjetrit”, në rastin më të keq. Porse, duke anashkaluar këtë kontradiktë, mbase duhet të bëjmë një referendum që me integrimin e Shqipërisë në Evropë, në vend të Skënderbeut, në prerjen shqiptare të euro-s të vendosim imazhin e Schmitt-it dhe Schmitt-ëve, etj. Le ta bëjmë provë, mbase referendumi jep rezultatet e pritura nga njerëzit e përmendur dhe Skënderbeun do ta shohim në prerjet euro serbe, maqedonase, apo... zullulandase.