E rëndësishme është rruga, apo sa është harxhuar për të?
Përpjekja e qeverisë për të mbuluar, me “arsye patriotike”, një abuzim të mundshëm financiar, është e rrezikshme. Në këtë rubrikë kam lexuar letra të banorëve të Kukësit, etj., që mbrojnë rrugën, duke e quajtur një investim për Veriun, e lënë vite me radhë pas dore.
Për shkak të mënyrës populiste si i zhvillon debatet politike dhe publike Berisha, kam frikë se do marrë terren ideja që, “rruga për Veriun”, po na bëka xheloz Jugun. Në këto ide, dashje pa dashje përçarëse, politika të tregojë përgjegjshmëri, sa herë t’i jepet rasti.
Në fakt, mbrojtja që po bën qeveria e tanishme për akuzat e korrupsionit, është e njëjta që përdorte dikur homologia e saj në hajdutëri, ish-qeveria socialiste. Qeveria e asaj kohe mbrohej me parullën “Vjedhim, por dhe punojmë” (!) I njëjti refren po përsëritet sot nga qeveria aktuale. Ajo akuzon ata që ngrenë zërin për shpërdorime të mundshme dhe thotë se e rëndësishme është rruga dhe jo sa është harxhuar për të. Ky është një imitim i keq i kundërshtarit të disa viteve më parë.