"E njëjta gjë, e nënshkruar dy herë. Nuk është serioze
Një nga nënshkrimet Berisha-Berluskoni, (kontrata e grupit “Falcione” për ndërtimin e një rigazifikuesi mes Fierit dhe Vlorës dhe impianteve nënujore të tyre), bie ndesh me të njëjtin projekt që qeveria e Kryeministrit Berisha ia ka premtuar dhe ka licencuar një kompanie zvicerane, “ASG Power”, në prani të ambasadores amerikane në Tiranë, para dy vitesh.
Kjo nuk është serioze. Tjetra, deri tani Shqipëria ka dhënë licenca për grekë, spanjollë dhe italianë, të cilët kanë premtuar të prodhojnë aq shumë çimento, sa të furnizojnë tregun italian, grek e spanjoll. Këto gjëra nuk janë premtuar në fushatë nga Berisha. Pse i bën atëherë? Kush e ka votuar për të ngritur fabrika çimentosh dhe centrale nuklearë?
Përkundrazi, ka thënë që Shqipëria do jetë një vend që tenton të ngrejë industrinë turistike. Për këtë u votua dhe për të tjera që nuk i përmend më. Epo, turizmi nuk bëhet kështu, nuk na kanë zënë veshët gjëkundi që të rrinë bashkë, çimentoja, nafta dhe turizmi. Nëse Shqipëria po shndërrohet në një aneks ndërtimesh që do të prodhojnë lëndë të para dhe energji për vendet fqinje, kjo është një gjë që, më së pakti, le të hidhet në fushatë nga politikanët dhe nëse populli mendon kështu, hallall votat dhe vërjani zjarrin këtij vendi, më keq nga sa ia keni vënë. Racë të paaftësh!