11 janari i Republikës
Republika e sanksionuar por jo e festuar
Republika Shqiptare. Ky është një fakt, asgjë e re, përkundrazi edhe Kushtetuta e Republikës sonë fillon me këtë fjali: Ne, Populli i Shqipërisë, krenar dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmenetj tregon qartë mesazhin që duhet të respektojmë. Nisem pikërisht nga kjo ndjenjë respekti dhe nga kjo fjali jashtë mase e renditur në mënyrë të saktë dhe shtroj pyetjen: përse Shqipëria e vetëdijshme për historinë [] përgjegjëse për të ardhmen, nuk ka në kalendarin e saj të festave ditën e Republikës? Përse Shqipërisë i mungon dita e saj përkujtimore për shpalljen e kësaj Republike?! Arsyetoj duke u nisur nga ajo që njoh plotësisht.
I referohem ditës sonë së Pavarësisë, krenar dhe të vetëdijshëm ne festojmë me gjallëri këtë ditë të shënuar. Republika, ose më sakt, Republika dhe Pavarësia janë dy terminologji që meritojnë vëmendjen e posaçme në historinë e një populli. Konkretisht këto dy proçese historike nuk janë për popullin tonë një unicum festiv. Dua të them problemi historik i përkujtimit të ditës së Republikës lidhet ngushtë me problemin e fjalës Republikë, e cila për herë të parë shënohet në historinë tonë në vitin 1925. Duke mos trajtuar këtë problem me seriozitetin dhe me metodologjin e duhur historike, qeveria ka zgjedhur rrugën më të shkurtër, heqjen e një date më të re, pra 11 janarin e 1946, në mbështetje të opinioneve konfuze që lidhen dhe duan të vlerësojnë si datë feste 25 janarin e 1925.
Duke u mbështetur mbi datat historike lexojmë që me 25 janar të vitit 1925 Shqipëria u shpall Republikë dhe me 31 janar po të 1925 Zogu zgjidhet president i kësaj Republike (kujtojmë gjithashtu në shtator të 1928 Zogu mohon Republikën dhe e kthen Shqipërin në Monarki ku vetëquhet Mbret atë që sot zogistët dua të sjellin). Pra objektivisht kemi një datë dhe një emër Republikë që personifikojnë dhe pëfaqësojnë një Person, i cili vetëzgjidhet dhe vetë titullohet. Debatet kanë lindur pikërisht nga ky fakt historik. Pretendohet nga shumë dashamirës zogistë të konsiderojnë ditën e Republikës atë të vitit 1925 ( për 11 Janarin e 1946 nuk bëhet fjalë). Këtu do ndalem e do sqaroj.
Ekziston një diferencë e madhe midis Republikës që u shpall më 1925 dhe asaj që u shpall më 1946. Pikë së pari; Republika e 1925 nuk doli nga zgjedhjet e popullit, por nga kushtet dhe rrethanat politike ndërkombëtare që shtynë dhe sollën në pushtet personin Zog. Duhet kujtuar në mënyrë absolute gjëndja e mjeruar dhe analfabete e popullit tonë, i cili nuk u pyet fare për fatin e tij, madje klasa politike e asaj kohe përbëhej nga elita pasanike dhe jo nga përzjerja e forcave politike që meriton Republika, të cilat dalin nga gjiri i popullit. Nga ky fakt jasht mase i rëndsishëm kuptojmë që kjo Republikë, me titull dhe jo me vepër, shërbente për skenarët e politikës që vetë Zogu përgatiste me prapaskenat e tij. Faktin e 7 prill të 1939 askush nuk e mohon, paçka se kryeministri jonë vazhdon dhe justifikon mbathjen e këmbëve si diçka normale, pa folur për paratë apo arin që i madhi Zog mori me vete, për të jetuar si mbret edhe jashtë Shqipërisë. Kjo është e vërteta historike të nderuar lexues për Republikën e parë. A mund ta festojmë këtë Republikë vetëm si emër, pa dëshirën e popullit?!
Republika e dytë e 11 janarit 1946 nuk lindi pa dëshirën e popullit, sepse populli jo vetëm zgjodhi delegatët për të marrë pjesë në Asamblenë Kushtetuese, përbërë nga 82 deputetë, të dalë nga zgjedhjet e
2 dhjetorit 1945.
Në fakt më 2 Dhjetor 1945 populli shqiptar kishte votuar për përfaqësuesit e tij, të cilët do të mblidheshin në Asamblenë e janarit 1946, ky fakt historik ka rëndësi themelore, për më tepër, në ish sheshin Qemal Stafa (sot Nënë Tereza), nga Shtëpia e Arteve (sot Akademia e Arteve) altoparlantët transmetonin tërsisht proçedurën e shpalljes së Republikës. Enver Hoxha në 1946 nuk ishte akoma diktatori që ne njohëm më pas, nuk ishte as ai që drejtoi punimet, salla nuk ishte pronë e tij por e popullit. Është themelor ky aspekt, sepse dëshira e popullit që vinte i dërrmuar dhe i shkatarruar, i djegur i vrarë dhe i masakruar nga lufta antifashiste gjente tek zgjedhjet e 11 janarit 1946 realizimin e gjakut të derdhur për lirinë e Atdheut. Mbreti Zog, duke braktisur dhe vjedhur këtë popull në ditën e fatkeqësisë, duke e lënë në injorancë të plotë, në varfëri e sëmundje nuk dëshirohej më. Pra mbi faktet historike nuk luhet dhe nuk mund të komentohet sipas dëshirave. Për këtë arsye Republika e Zogut nuk mund të përkujtohet si Republika e popullit Shqiptar, është thjesht një emër që ju përshtat Shqipërisë në vitin 1925, as më tepër dhe as më shumë, një titull për të qenë në rregull me partnerët internacional. Ndërsa shpallja e Republikës së popullit shqiptar më 11 janar 1946, është Republika që u votua nga etërit tanë, të cilët kishin luftuar kundër okupatorëve në linjën e parë. Ishte derdhur gjaku në LNÇ për t-ja arritur kësaj dite, ndaj sot nuk kemi pse të kemi frikë për të shkruajtur të zezën mbi të bardhë kur flitet për sakrificat, për entuziazmin dhe dëshirat e një gjeneracioni, i cili arriti një rezultat të jashtëzakonshëm. Populli shqiptar arriti të shpallte Republikën popullore në 11 janar të 1946, për mua dhe me shpresë për Ne të gjithë, kjo është dita e Republikës që duhet të përkujtojmë, siç shkruan edhe Kushtetuta jonë, të vetëdijshme për historinë e vendit tonë, e cila do të na shërbejë edhe për të ardhmen. Duke festuar ditën e Republikës së 11 janarit 1946 (66 vjetorin), Ne përkujtojmë idealin e një populli për të patur te drejta të barabarta, kjo ditë ishte dhe mbetet festa e vërtetë, të cilën për opinione të dështuara, për fat të keq ne kemi mohuar dhe nuk festojmë.
