11 kamera për Maltë-Shqipëri Ndeshja për teleshikuesit shqiptarë do të transmetohet nga Televizioni Publik Shqiptar, TVSH (ora 19:30) dhe paketa dixhitale “Supersport” përmes SNG (Satellite News Gathering).

Një kompani televizive me një emër kuptimplotë “Where’s Everybody” (Ku është gjithkush) do të prodhojë sinjalin televiziv satelitor të ndeshjes Maltë-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010. Takimi do të luhet të mërkurën e ardhshme, më 11 shkurt 2009 në stadiumin kombëtar “Ta’ Qali”.
Ndeshja për teleshikuesit shqiptarë do të transmetohet nga Televizioni Publik Shqiptar, TVSH (ora 19:30) dhe paketa dixhitale “Supersport” përmes SNG (Satellite News Gathering).
Sipas asaj që raportojnë mediat malteze, takimi i Maltë-Portugali u transmetua në 15 vende, ndërsa Maltë-Hungari sinjali televiziv iu ofrua miliona njerëzve.
Për prodhimin e sinjalit televiziv të ndeshjes Maltë-Shqipëri do të angazhohet një ekip prej 40 personash, ndërsa ajo do të “monitorohet” nga 11 kamera, e në staf do të jetë edhe një moderator enkas për statistikat e ndeshjes.
Teknologjia e transmetimit do të jetë e fjalës së fundit, duke mundësuar një kualitet të shkëlqyer të imazhit.
E Shtune, 07 Shkurt 2009