E Diel, 1 Nëntor 2026

Skaneri i 19 “ushtarëve” anti-MaltëNëntëmbëdhjetë “ushtarë” nën armë për një qëllim të vetëm; tri pikë në Maltë. E konsideruar si skuadra më e dobët e Grupit 1, Malta shihet si ndeshja e vështirë për kuqezinjtë. Nuk e thotë vetëm presidenti i F

LEONARD KARAJ - Nëntëmbëdhjetë “ushtarë” nën armë për një qëllim të vetëm; tri pikë në Maltë. E konsideruar si skuadra më e dobët e Grupit 1, Malta shihet si ndeshja e vështirë për kuqezinjtë. Nuk e thotë vetëm presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka; nuk e thonë vetëm specialistët e futbollit në vend; e konfirmon edhe vetë Haan, i cili dje më shumë se kurrë ka bërë llogaritë edhe me një skuadër copë-copë. Mungojnë dy nga shtyllat e mesfushës Cana dhe Lala. Arian Beqaj shqetëson ende me dëmtimin e tij teksa Hidi e Ujkani mjaftohen me pjesëmarrjen në seancat stërvitore. “Ukrainasit kuqezinj”, Debatik Curri, Armend Dallku dhe Ervin Bulku nuk luajnë një ndeshje zyrtare që prej nëntorit pasi kampionati ukrainas ku ata aktivizohen ka ndërprerjen dimërore. Ndërkohë sulmi është një tjetër rebus që s’di nga ta kapësh. Hamdi Salihi nuk ka luajtur ende një ndeshje të vërtetë me skuadrën e tij Ried në Austri pas dëmtimit që mori dy muaj më parë. Erjon Bogdani e kanë harruar ç’do të thotë për të titullar në formacion me Chievo-n, ndërsa Besart Berisha nuk luan prej dy muajsh për shkak të ndërprerjeve të kampionatit, në Norvegji dhe tashmë në Danimarkë. Në këtë situatë trajneri Arie Haan duhet të improvizojë për përballjen mjaft delikate të 11 shkurtit në La Valleta ndaj Maltës. 

Grumbullimi

Haan do të ketë në dispozicion që të gjithë futbollistët vetëm ditëne  hënë në Maltë, pasi disa prej legjionarëve janë të grumbulluar me skuadrat e tyre këtë fundjavë. Ndërsa nën urdhrat e Haan sot dhe nesër do të jenë futbollistët e Superligës si dhe legjionarët që militojnë në kampionate që ende nuk kanë filluar sikundër ai ukrainas dhe danez. Në listën e bërë publike dje ka rënë në sy mos-grumbullimi i Migen Memellit dhe thirrja e Xhevair Sukajt. Nuk është as Edmond Kapllani. Megjithatë sulmi mendohet të bjerë në shpatullat e Erijon Bogdanit edhe pse futbollisti nuk është aktivizuar thuajse fare me skuadrën e Kievos. Gjithashtu Haan ka lënë jashtë listës Dorian Bylykbashin, të cilin kishte vendosur ta grumbullonte për shkak të mungesës së dy lojtarëve të mesfushës, Canës dhe Lalës. Lista e shpallur nga holandezi ka shkaktuar polemika por vetëm rezultati përfundimtar me Maltën do të tregojë nëse ai ka vepruar drejt për sa u përket futbollistëve të grumbulluar.

Superliga

Duke parë gjendjen e legjionarëve shqiptarë në kampionate të ndryshme të Evropës, Haan nuk i ka mbetur veçse të varë shpresat tek lojtarët që aktivizohen në kampionatin shqiptar të futbollit. Kjo për faktin se këta të fundit të paktën kanë kryer një fazë përgatitore të mirë dhe janë aktivizuar rregullisht me skuadrat e tyre duke gëzuar një formë të mirë sportive. Tjetër gjë për Bogdanin, Vangjelin, Berishën, Hidin e Ujkanin të cilët prej kohësh nuk luajnë me ekipet e tyre. Andi Lila, Elvin Beqiri, Ansi Agolli, Elis Bakaj, Endri Vrapi dhe Xhevair Sukaj janë “muskëtierët” që do përfaqësojnë Superligën në kombëtare për këtë takim. Të paktën tre prej tyre, Beqiri, Agolli dhe Lila pritet që të mos jenë veçse pjesë e kësaj skuadre ndaj Maltës. Madje dy të parët nisen titullarë që në Rinas.

Pragndeshja

Sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe stafit kuqezi përballja me Maltën është ndër më të vështira për kombëtaren tonë. Kjo edhe për faktin se kuqezinjtë janë në një farë mënyre të dënuar që të marrin tri pikë nga modestët maltezë. Fakti që edhe FSHF ka vënë një premi më të lartë (5 mijë euro) për këtë takim do të thotë se shqetësimi është shumë herë më i madh sesa në takimet e tjera paraardhëse. Fakt është se një fitore në La Valleta do të ngjiste në krye të Grupit 1, Shqipërinë e cila e favorizuar edhe nga kalendari (në mars luan në “Qemal Stafa” ndaj Hungarisë) ka shansin e madh që të paktën deri në qershor përpos çdolloj rezultati që do të bëjnë pretendentët e tjerë të grupit, Suedia, Danimarka dhe Portugalia do të jetë lidere e padiskutueshme e grupit.

LOJTARET

Beqaj - Nuk luan që nga fundi i tetorit dhe është ende në fazë rikuperimi pas dëmtimit, por është preferuar në listën e ndeshjes me Maltën dhe pas verifikimeve nga stafi mjekësor mund të luaj edhe si titullar. 

Hidi - Ka pasur probleme me ish-klubin e tij Alki në Qipro dhe prishi kontratën. Tashmë pret një kontratë të re nga Krivbas në Ukrainë. Nuk luan prej gati dy muajsh një ndeshje zyrtare.   

Ujkani - Mjaftohet me stërvitjen te Palermo pasi ende nuk ka bërë debutimin e tij në Serie A edhe pse tek kjo skuadër ka ardhur që në merkaton e dy viteve më parë.

Lila - Konstant në lojën e tij dhe me një formë fizike mjaft të mirë. Të enjten nën vëzhgimin e Arie Haan, në Tirana-Shkumbini shënoi edhe golin e parë për bardheblutë.

Beqiri - Ka kaluar një fazë përgatitore shumë të mirë me Vllazninë në Ulqin, Mal i Zi dhe është ndër lojtarët më aktivë për momentin tek kjo skuadër. I sigurt në 11-en titullare. 

Vrapi - Vazhdon të jetë një pikë e fortë e mbrojtjes së ekipit të Elbasanit. Nuk shihet si një lojtar titullar ndaj Maltës por mjafton fakti që Haan e pëlqen për mënyrën e lojës.

Vangjeli - Gëzon një formë të mirë fizike, por nuk ka luajtur rregullisht te Aris i Selanikut. Pjesën më të madhe ka qenë në pankinë dhe kjo ka ndikuar mjaft në ecurinë e tij.

Curri - Nuk luan një ndeshje zyrtare me skuadrën e tij Vorskla Potlava në kampionatin ukrainas që nga 12 nëntori, kur u mbyll edhe faza e parë e kampionatit. Jo në formë të mirë.

Dallku - E njëjta gjë edhe për mbrojtësin e krahut të djathtë, Armend Dallku. Edhe ky mendohet të jetë jo në formën më optimale pasi kanë zhvilluar vetë një fazë përgatitore në Turqi.

Bulku - Edhe ish-mesfushori bardheblu nuk zbret në fushë prej dy muajsh. Gjithsesi në mungesë të Canës dhe Lalës me shumë mundësi do të jetë titullar ndaj Maltës.

Bakaj - Kaloi nga Partizani te Dinamo dhe pikërisht kjo lëvizje mund ti “dhurojë” një post jo vetëm në bankinë në ekipin tonë përfaqësues ndaj Maltës. Gjithsesi duhet të presë ende për një vend si titullar.

Duro - E nisi mirë me Omonian në Qipro por gjatë muajit janar iu desh të fillonte disa takime si zëvendësues. Megjithatë mbetet një nga pikat më forta të mesfushës kuqezi ndaj shihet si titullar edhe në përballjen me Maltën. 

Skela – Është ndër të vetmit futbollistë kuqezi që ka zhvilluar që të gjitha ndeshjet si titullar me ekipin e tij Energji Kotbus. Ndaj Maltës do të jetë edhe kapiten i skuadrës në mungesë të Lalës dhe Canës. 

Agolli - Do të jetë titullar i padiskutueshëm ndaj Maltës. Kjo edhe për faktin se është ndër lojtarët më në formë jo vetëm në Superligën por edhe në kombëtare. Shënoi edhe të enjten në Tirana-Shkumbini, takim që u ndoq edhe nga trajneri Arie Haan.
 
Lika - Edhe shkodrani është nga ata futbollistë që nuk e njohin pankinën. Te Hacetepe, në kampionatin turk ka fituar një vend titullari dhe nuk është rastësi që nga tre shkodranët Teli-Sukaj-Lika, turqit s’pranuan ta jepnin hua gjatë merkatos së janarit.

Salihi - E nisi mirë sezonin te Riedi, por problemet në kavilje e detyruan të qëndronte disa javë jashtë fushave. Është rikuperuar dhe mendohet se do të jetë titullar në këtë takim shumë të rëndësishmë për kuqezinjtë.

Bogdani - Ka luajtur vetëm 351 minuta (8 ndeshje, 3 titullar, 5 si zëvendësues) këtë sezon te Kievo në Seria A. Nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka humbur vendin e titullarit. Së fundmi ka pasur edhe një dëmtim në vetull, çka do verifikohet nga stafi mjekësor. 
 
Berisha - Një start i mirë te Rozenborg, ku debutoi me dy gola. Më pas u abonua me bankinën derisa përfundoi sërish në huazim nga Burnli te AC Horsens në Danimarkë, skuadër me të cilën ka luajtur edhe tri vite më parë.

Sukaj - Është padyshim surpriza e kësaj liste. Atëherë kur pritej që trajneri Arie Haan të grumbullonte Migen Memellin, u preferua shkodrani i cili shënoi tre gola në përballjen e fundit ndaj Besës në kampionat.

Burimi: Tirana Observer

E Shtune, 07 Shkurt 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›