E Shtunë, 31 Tetor 2026

11-m fatale për Portugalinë, Spanja në finale

Gazeta Shqip

Nuk mjaftuan 120 minutat lojë në derbin iberik. Gabim i Bruno Alvesh nga pika e bardhë

Spanja është finalistja e parë e Euro 2012, pasi pas 120 minutave lojë, falë ruletës së pamëshirshme të penalltive, eliminoi Portugalinë e Kristiano Ronaldos.

Mbrëmë u ngjit në skenë derbi i Gadishullit Iberik: 17 sfida mes dy kombëtareve. Përballja e fundit, në vitin 2010, përfundoi me një fitore shkatërruese të luzitanëve. Kjo ndeshje ishte konsideruar si një El Clasico Barcelona-Real Madrid në miniaturë. Ky etiketim ishte bërë për shkak se kanë qenë të shumtë në fushë lojtarët, që u përkisnin Blaugrana-ve dhe Los Blancos-ave. Nga njëra anë, Kristiano Ronaldo duhet të fitonte dhe të bindte se mund ti rrëmbente Topin e Artë rivalit të përjetshëm, Lionel Mesi. Nga ana tjetër, Ksavi me shokë dëshironin të hynin në histori si kombëtarja e parë që bënte tripletë Europian-Botëror-Europian. Module të njëjta për trajnerët Paulo Bento dhe Vinsente del Boske. Ndërsa tekniku portugez kishte konfirmuar formacionin e fundit. Në anën tjetër, trajneri spanjoll bënte surprizën me lënien në stol si të Torresit, edhe të nëntës false Fabregas, por në fushë kishte hedhur Negredon e Seviljes.

Takimi ka nisur me kërcënimin e portugezëve me dy goditje këndi radhazi, që janë neutralizuar nga Iker Kasiljas, ndërsa më pas e kanë marrë fjalën spanjollët. Këto 45 minuta kanë qenë pak entuziaste dhe pa gola. Luzitanët janë dukur të vendosur mirë në fushën e lojës, duke zbatuar me përpikëri detyrat e trajnerit Bento, ndërsa Furitë e Kuqe e kanë pasur të vështirë të gjejnë hapësirat e duhura për të gjuajtur në portën e mbrojtur nga portieri Patrisio. Në fakt, spanjollët i janë afruar dy herë golit vetëm me gjuajtje nga kufijtë e zonës, me Arbeolën dhe Iniestën që kanë provuar, por që kanë përfunduar pak mbi traversë. Portugalia është mbrojtur shumë mirë, duke u lënë pak hapësira kundërshtarëve dhe është shfaqur e rrezikshme me gjuajtjet e Kristiano Ronaldos në minutën e 13 dhe mbi të gjitha, në të 37-n: e majta e tij përfundoi pranë shtyllës së majtë të portës së Kasijasit, që gjithsesi ishte në trajektore. Furitë e Kuqe e kanë pasur të vështirë të ruajnë qarkullimin e topit për shkak të presingut asfiksues të luzitanëve, që janë treguar gjithnjë të gatshëm për tu nisur në kundërsulm me anë të dy lojtarëve të shpejtë të krahëve.

Edhe pjesa e dytë ofron të njëjtën pamje, madje për minuta të tëra u pa një duel në mesfushë mes dy skuadrave, por mungonin rastet në portat respektive. Ronaldo, nga ana e tij, u përpoq të jepte shkëndija në radhët e të tijve, por shokëve të skuadrës iu ka munguar saktësia në rezultat. Duhej të vinte minuta e 68 për gjysmërastin e parë, me një gjuajtje të Ksavit nga jashtë zonës. Në anën tjetër, Ronaldo provon me dy goditje dënimi, por mbi traversë. Portugalia i reziston, madje ka iniciativë, ndërsa Spanja nuk e çan dot mbrojtjen luzitane. Minutën e 90-të, Ronaldo ka në këmbë një Golden Goal të mundshëm, pasi mbrojtja spanjolle u kap në befasi, por ylli portugez është vonuar shumë dhe ka gjuajtur keq. Rivaliteti i madh mes dy skuadrave është treguar jo vetëm në ekuilibrin e rezultatit dhe lojës, por edhe në atë të ndërhyrjeve të ashpra, që në 90 minuta kanë detyruar gjyqtarin të nxirrte 8 herë kartonin e verdhë (5 për portugezët dhe 3 për spanjollët). Koha e rregullt nuk ka mjaftuar dhe ekipet i janë drejtuar kohëve suplementare.

Në shtesën e parë, Portugalia mbyllet në mbrojtje, ndërsa Spanja shfaq më shumë freski, dominon fushën dhe në minutën e 104 ka rastin e artë për shënim me Iniestën, por bën mrekullinë portieri Patrisio. Spanja provon edhe me një të djathtë të dhunshme të Serxho Ramosit nga goditja e dënimit, që i shkon shumë pranë traversës luzitane. Edhe në shtesën e dytë është vetëm Spanja, që nuk shfrytëzon dot dy raste me Negredon dhe Pedron, por goli i merituar i La Roja-s, të paktën në këto 30 minuta suplementare, nuk do të vijë. Fërshëllima e gjyqtarit Cakir bën që të dyja skuadrat ti drejtohen ruletës së 11-metërshave. Të dy skuadrat e nisin keq me gabimet e Ksavi Alonsos dhe Zhoao Mutinjos. Shënojnë Iniesta, Pepe, Pike, Nani, Serxhio Ramos (imiton Pirlon). Bruno Alvesh gabon, topi ndalet nga shtylla dhe Fabregas dërgon topin në rrjetë për rezultatin 2-4, që i jep më në fund Spanjës finalen, e treta radhazi për skuadrën e Del Noskes, ndërsa çon në shtëpi Portugalinë e Kristiano Ronaldos, i cili humbet edhe mundësinë e madhe për të bërë të vetin Topin e Artë.

Portugali

Spanjë

0() -0()

PORTUGALIA (4-3-3)

Rui Patrisio; Zhoao Pereira, Pepe, Bruno Alvesh, Fabio Koentrao; Zhoao Mutinjo, Migel Velozo (Kustodio 105), Raul Meireles Silvestre Varela 112); Kristiano Ronaldo, Hugo Almeida (Nelson Oliveira 81), Nani

Tr.: Paulo Bento

SPANJA (4-3-3)

Iker Kasiljas; Alvaro Arbeloa, Serxho Ramos, Zherard Pike, Hordi Alba; Serxho Buskets, Ksabi Alonso, Ksavi Hernandez David Silva (Jesus Navas 60), Alvaro Negredo (Fransesk Fabregas 54), Andres Iniesta

Tr.: Vinsente Del Boske

Gjyqtar: Cuneyt Cakir (Turqi)

Shënues te penalltive: Pepe 120+4, Nani 120+6, / Iniesta 120+3, Pike 120+5, Serxho Ramos 120+7, Fabregas 120+9

Kartona të verdhë: Koentrao 45, Pepe 61, Pereira 64, B. Alvesh 86, Migel Velozo 90+1 / S. Ramos 40, Buskets 60, Arbeola 84, Ksavi Alonso 113

11-m fatale për Portugalinë, Spanja në finale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›