Madrilenët: Dimë si luan Ronaldo, e eliminojmë
Kristiano Ronaldo nuk do të përballet vetëm ndaj një rivali historik për vendin e tij, siç është Spanja, por edhe kundër futbollistëve të cilët i njeh mirë. Në fushën e lojës ai pritet të ketë kundërshtarë të paktën katër futbollistë, të cilët i ka shokë skuadre te Reali i Madridit. Por njohja mes tyre është reciproke ose, më saktë, spanjollët ia dinë sekretet yllit portugez. Ata kanë pranuar se dinë si duhet ndalur Kristiano Ronaldo, por që duhet të zbatojnë me përpikëri këto parime në fushën e lojës. Kasijas, Arbeloa dhe Serxho Ramos kanë folur për lëvizjet e kundërshtarit të tyre më të rrezikshëm në gjysmëfinalen e sotme.
Arbeloa Kristiano është një shok shumë i mirë te Reali, madje një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm për arritjen e sukseseve. Por, nesër (sot), ai do të jetë thjesht një armik. Miqësia jonë do të harrohet në ato 90 minuta dhe do të japim maksimumin për të ndaluar njëri-tjetrin. E di mjaft mirë që është shumë e vështirë që ta ndalësh në fushën e lojës, por më duhet të pranoj se jam disi më i favorizuar se një mbrojtës, i cili nuk e njeh shumë mirë. Ka probleme të bëjë diferencën në hapësira të ngushta, pasi arma kryesore është sprinti, ose gjuajtjet nga distanca, – u shpreh mbrojtësi Alvaro Arbeloa.
Serxho Ramos Kristiano? Duhet të ruhesh kur ai gjuan, por nuk duhet ta lejosh që të gjuajë. Ai e di që nuk po luan kundër një ekipi çfarëdo, por ndaj kampionëve në fuqi. Për më tepër, ai më ka frikë, – tha Ramos duke qeshur. Do mundohemi që ta bllokojmë, para se ai të ketë topin në zotërim, ose të lëvizë me të. Të gjithë e dimë që bëhet fjalë për një lojtar që bën diferencën dhe mund të zgjidhë fatin e një ndeshjeje i vetëm. Unë e njoh shumë mirë, por kjo nuk do të thotë se mjafton që ta ndalësh, – shtoi shoku i ekipit të Ronaldos.
Kasijas Gjuajtjet e Ronaldos? Në stërvitje i bën më të forta se gjatë ndeshjes, pasi gjuan më lirshëm. Godet fort dhe mbi të gjitha me teknikë, duke bërë që topi të ndryshojë trajektore. Gjithsesi, nuk besoj se do të më shënojë. Kam besim që Pike do arrijë ta markojë shumë mirë. Në përballjet që janë zhvilluar mes tyre, mbrojtësi i Barcelonës ka arritur ti përballojë me sukses dhe jam optimist se do të bëjë të njëjtën gjë edhe nesër (sot). Por, nuk duhet të fokusohemi vetëm tek ai, – deklaroi Kasijas.
Në Botëror
Portugalia dhe Spanja janë takuar vetëm një herë në fazën e një kampionati botëror, në Afrikë e Jugut 2010, ku spanjollët fituan 1-0 në raundin 1/16-ve duke eliminuar kështu luzitanët. Sakaq këto dy skuadra janë ndeshur edhe katër herë në kualifikimet për në Botërorin e 1934-s dhe të 1950-s, ku Spanja ka fituar tri herë dhe një ndeshje ka mbaruar në barazim 2-2.
Në Europian
Për sa u përket përballjeve në një kampionat europian, Portugalia dhe Spanja janë ndeshur mes tyre vetëm në dy raste: në finalet e Europianit të 2004-s, të cilat zhvilloheshin pikërisht në Portugali, vendësit fituan në ndeshjet në grup 1-0 ndaj spanjollëve. E njëjta gjë edhe në Europianin e 1984-s, ku sërish kanë qenë luzitanët që kanë fituar ndaj spanjollëve, po 1-0.
Spanja dhe Kasijas, makthi i Ronaldos
Kristiano Ronaldo është një nga futbollistët më të mirë dhe, mbi të gjitha, më produktivë të viteve të fundit. Megjithatë, ylli i kombëtares portugeze nuk ka pasur shumë fat ndaj rivalëve të Spanjës. Ai nuk ka mundur tu shënojë dot asnjëherë iberikëve, edhe pse nga duelet mes tyre ka fituar edhe një ndeshje 4-0, pikërisht në vitin 2010. Mirëpo, Kristiano nuk i ka shënuar dot asnjëherë gjatë karrierës së tij Iker Kasijasit. Ndërsa në duelet mes tij dhe Xherard Pike, bilanci është më pozitiv. Në 15 përballje, Kristiano Ronaldo ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës pesë herë.
Spanja nuk ka humbur në gjysmëfinale
Spanja nuk dështon asnjëherë në kalimin e gjysmëfinaleve të kampionatit europian, sa herë që i ka arritur këto të fundit në të shkuarën. Më saktë, iberikët kanë qenë gjysmëfinalistë të Europianit në tri raste më parë, në vitin 1964, 1984 dhe 2008. Në dy prej tyre e kanë fituar kompeticionin, kurse në vitin 1984 shkuan deri në finale, por u mundën nga Franca me rezultatin 2-0. Ndërkohë, krejt e kundërta është historia për Portugalinë. Luzitanët kanë qenë gjithashtu tri herë gjysmëfinalistë më parë në Europian, por vetëm në një rast kanë arritur që ta kalojnë këtë fazë, duke siguruar finalen.
Portugezët: Arbitri do favorizojë Spanjën
Në median portugeze shkruajnë: Presidenti i Federatës Spanjolle, Vilar, është njëkohësisht edhe presidenti i Komitetit të Arbitrit në UEFA. Arbitri Çakir nuk do guxojë të bëjë gabime ose të dëmtojë Spanjën, por do jetë i predispozuar për ta ndihmuar atë, në mënyrë që të shpërblehet me ndeshjet në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, deklaroi disa kohë më parë se donte që në finale të shikonte duelin Spanjë-Gjermani. Të dyja këto ekipe janë në gjysmëfinale dhe shanset janë të mëdha që dëshira e tij të realizohet.
Del Boske: Spanja luan përballjen më decizive
Visente del Boske u mundua të karikojë maksimalisht skuadrën e tij, por edhe të ironizojë mbi kundërshtarin. Jemi para ndeshjes më të rëndësishme të jetës sonë. Do luajmë në gjysmëfinalet e Europianit kundër një kundërshtari shumë të fortë, si Portugalia. Jemi vetëm një hap larg finales dhe nuk duhet ta humbasim këtë shans. Ronaldo? Ai është një futbollist i shkëlqyer dhe për këtë nuk ka nevojë për shumë koment. Më vjen mirë që është përfolur kaq shumë për duelin kundër një lojtari të tillë. Gjithsesi, unë e kisha gati mënyrën se si do provojmë ta ndalim dhe jam optimist se do e çaktivizojmë. Do veproj si në ndeshjen e Kupës së Botës, me markime të alternuara ndaj tij. Ndryshimi i vetëm është se këtë herë do e bëjnë futbollistë të tjerë. Do mundohemi ti heqim topin nga këmbët apo ta bllokojmë, me lojtarët që janë më pranë tij dhe jo me një markim kokë më kokë, ka pohuar Del Boske.Bento: Arbitër mos u influenco nga Spanja!
Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento, ka pohuar se di se si ta mundë Spanjën. Sipas tij, skuadra e Del Boskes është në presion pasi zbret në fushë me petkun e favorites, dhe pikërisht kjo është pika më e dobët sipas tij e Furive të kuqe. Por ai i ka bërë edhe një thirrje arbitrit turk, Çakir, i cili do drejtojë këtë ndeshje (në fakt presidenti i federatës spanjolle, Vilar është edhe kryetari i komitetit të arbitrave në UEFA). Është përfolur për një influencim spanjollësh te arbitri. Unë nuk dua ta besoj këtë gjë, por gjithsesi i bëj thirrje gjyqtarit që të mos influencohet fare nga kundërshtari ynë. Sipas nesh do jetë një ndeshje shumë e vështirë, por e rëndësishme për mua është fakti se që të 23 lojtarët që kam në dispozicion, janë në superformë dhe pres që secili të më japë përgjigjet e duhura në fushën e lojës. Si mundet Spanja? E sulmojmë vazhdimisht, që nga minuta e parë, dhe nuk do tkurremi në momentin kur ata do kenë topin në zotërim.
LEONARD KARAJ