Klasikja Gjermani-Itali, sot luhet sfida e pafundme
Gjysmëfinalja
Dy filozofi të ndryshme në krahasim me të kaluarën ndeshen për një biletë në finale
Po shkojmë drejt kulmit të Europianit të Poloni e Ukrainë 2012, mbeten vetëm dy ndeshje nga ai që deri tani ka qenë një turne që ka ekzaltuar kualitetet e lojtarëve më të mëdhenj (Pirlo, K.Ronaldo e Gomez, sa për të cituar disa), na ka dhuruar surpriza të këndshme, (Greqia e Republika Çeke, të cilat u kualifikuan për në çerekfinale në kurriz të më të kuotuarave Polonisë e Rusisë) zhgënjime të mëdha, (Holanda mbi të gjithë) dhe emocione të mëdha (dopjeta e Shevçenkos kundër Suedisë, që bëri të ëndërrojë një Ukrainë të tërë).
Gjysmëfinalja e dytë e këtij turneu është një klasike jo vetëm e futbollit europian, por edhe e atij botëror: Gjermani-Itali, përplasje e cila ka bërë të ëndërrojnë të paktën tri gjenerata të këtyre dy vendeve, në veçanti për tri ndeshjet më të paharrueshme të botërorëve në 1970, (4-3, ndeshja e shekullit) në 1982 (3-1 dhe axurrët kampionë të botës), deri te më e fundit në 2006 (2-0, Itali në finale dhe një festë e madhe në të gjithë gadishullin e Apenineve).
Sot Gjermani-Itali është një përplasje mes dy kombëtareve me filozofi komplet të ndryshme në krahasim me të kaluarën. Mediat perëndimore e kanë etiketuar gjithnjë Italinë me catenacco dhe lojë shumë mbrojtëse, por me ardhjen e Prandelit kemi zbuluar një kombëtare, e cila di të prodhojë lojë përgjatë gjithë ndeshjes, madje duke u treguar edhe shumë e kujdesshme në fazën difensive (u referohemi ndeshjeve zyrtare, pasi në miqësore, të cilat nuk po i marrim në këtë ekzaminim, ka pasur problemet e cituara më lart). Italia nuk humbet në ndeshje zyrtare që prej 13 takimesh, në të cilat ka koleksionuar 9 fitore dhe 4 barazime mes eliminatoreve dhe fazës finale të Europianit, por ka demonstruar edhe një farë limiti në fazën ofensive (në fakt, të gjithë golat e axurrëve në Euro 2012, përveç atij të Di Natales, kanë ardhur nga goditjet e dënimit), gjë që është një fakt shqetësues në optikën e finales së mundshme.
Edhe gjermanët në këtë periudhë të fundit kanë ditur të ndryshojnë reputacionin e tyre prej një skuadre solide dhe fizike, por e lodhshme me një gjeneratë talentesh krijuese edhe pse jo pikërisht të mëdhenj fizikisht, si Ëzil, Shyrle dhe Rojs. Ndër të tjera, Gjermania ka ditur, pas zhgënjimit në Euro 2004, ta shndërrojë skuadrën multikulturale, me përfshirjen e lojtarëve me origjina të qarta të huaja, duke shfrytëzuar multikulturalizmin gjithnjë drejt përmirësimit në vend. Futbollistë si Klose, Podolski, Khedira, Boateng, Ëzil, luajnë role kyçe te Mannschaft-i, edhe pse nuk janë 100% gjermanikë. Gjermanët deri tani kanë demonstruar futbollin më të mitë të Europianit: argëtues, të guximshëm dhe ofensivë, por kanë lënë shumë hapësira prapa gjatë ndeshjeve që u është dashur të luajnë, mbi të gjitha kundër Greqisë, kundër Danimarkës dhe kundër Holandës, hapësira që janë shfrytëzuar vetëm pjesërisht nga këto skuadra, që nuk kanë krijuar aq raste sa kanë pasur mundësi të bënin. Problem i mbrojtjes së brishtë nuk është vrenjtur dhe aq shumë, sepse deri këtu gjithnjë janë lënë në hije nga ortekët e golave të shënuar, mbi të gjitha nga bomberi Mario Gomez, i cili lufton edhe për titullin e golashënuesit të turneut me Kristiano Ronaldon, një tjetër protagonist i madh i Euro 2012.
Megjithatë, kundër Italisë do të jetë e vështirë të shënojnë kaq shumë, sepse axurrët me Prandelin kanë treguar një soliditet difensiv, që mungonte prej disa vitesh. Nëse Italia do të arrinte të mbyllej mirë dhe të rinisej në kundërsulm në mënyrë efikase, mund ti krijojë dhimbje koke Gjermanisë. Ndër të tjera duhet marrë në konsideratë fakti se Italia ka vuajtur një çerekfinale kundër Anglisë, që shkoi deri te penalltitë.
Kjo Gjermani duket si një skuadër rekordesh. Mannschaft mund të arrijë rekordin e Brazilit të viteve ’70 dhe jo vetëm: pasi ka fituar 15 ndeshje radhazi, ka vënë në shënjestër serinë më të gjatë të rezultateve pozitive të të gjitha kohërave me 19 fitore, që është fiksuar nga Spanja mes viteve 2007 dhe 2009. Sipas statistikave nëse ndeshja shkon me penallti, ato mund të rezultojnë fatale për Italinë, pasi Gjermania ka humbur vetëm 2 penallti në historinë e saj me Uli Hënes në 1976 e Uli Shtilike në 1982, ndërsa axurrët plot 12: nga Fulvio Kolovati te Rikardo Montolivo, mes të cilëve janë edhe Roberto Baxhio e Paolo Maldini.
Te Gjermania është në dyshim vetëm Shvajnshtajger, ndërsa te Italia rezulton i skualifikuar Maxho, ndërsa Abate, De Rosin dhe Keielini pritet të jenë të gatshëm për superklasiken e mbrëmjes së sotme.
4-2-3-1
Gjermania
Manuel Nojer; Zherome Boateng, Mats Humels, Holger Badshtuber, Filip Lahm; Bastian Shvajnshtajger, Sami Khedira; Marko Rojs, Mesut Ëzil, Lukas Podolski, Miroslav Klose. Tr: Joakim Lëv
4-1-3-2
Italia
Xhanluixhi Bufon; Injacio Abate, Andrea Barzalji, Leonardo Bonuçi, Xhorxho Kielini; Andrea Pirlo; Klaudio Markizio, Rikardo Montolivo, Daniele De Rosi, Alesandro Diamanti, Mario Baloteli. Tr: Çezare Prandeli
15
Fitore radhazi
Gjermania ka fituar 15 ndeshje radhazi, ka vënë në shënjestër serinë me të gjatë të rezultateve pozitive të të gjitha kohërave me 19 fitore, që është fiksuar nga kombëtarja e Spanjës mes viteve 2007 dhe 2009
2-12
11-m e humbura
Gjermania ka humbur vetëm 2 penallti në historinë e saj me Uli Hënes në 1976 e Uli Shtilike në 1982, ndërsa Italia plot 12: nga Fulvio Kolovati te Rikardo Montolivo, ku përfshihen edhe Roberto Baxho e Paolo Maldini
Bekenbauer
Italia? Në finale shkon Gjermania
Gjermania dhe Italia do të luajnë të enjten gjysmëfinalen e dytë të Euro 2012. Legjenda e futbollit botëror, Franc Bekenbauer, ka bërë parashikimin e tij për klasiken europiane dhe botërore, duke cilësuar si favorite ish-skuadrën e tij. Sipas “Kaizerit”, axurrët e drejtuar nga Çezare Prandeli do të jenë një kundërshtar shumë i fortë, por që në fund do të jetë formacioni i Joakim Lëvit ai që do të sigurojë biletën për në finalet Euro 2012. Për Bekenbauer, fitues i Kupës së Europës në 1972, si dhe Kampion Bote si futbollist dhe trajner, arsyet e triumfit gjerman janë dy. Të kaltërit janë të parashikueshëm në lojën e tij dhe nuk mund të përballojnë fizikisht rivalët gjermanë. “Mendoj se si kundërshtarë në gjysmëfinale, italianët janë më të vështirë nga sa do të ishin anglezët, që do të ishin më të lehtë për t’u mundur. Italianët janë më të sofistikuar, por në të njëjtën kohë të parashikueshëm në lojën e tyre. Ata nuk mund të menaxhojnë mirë ndeshjen, nëse ndihen në presion dhe mendoj se Gjermania është më e përgatitur në këtë aspekt”, ka bërë të ditur Bekenbauer.
Të veçanta
50 000 euro bast, fitorja në dorën e Lëv
Shumë është folur këto ditë se Gjermania ka frikë nga Italia, por gjithsesi janë bastexhinjtë ata që besojnë te skuadra e Joakim Lëvit. Agjencia Uilliam Hill ka bërë të ditur dje se një biznesmen gjerman ka hyrë në një pikë bastesh dhe ka luajtur plot 41 mijë sterlina (më shumë sesa 50 mijë euro) për triumfin e Gjermanisë. Ndërsa, supermacia e frikshme teknike e gjermanëve tashmë ka edhe një aleat më shumë: dorën e trajnerit Joakim Lëv.
