E Diel, 1 Nëntor 2026

11 mënyra se si mund të kurseni energji

Në kuadër të iniciativave të përgjegjësisë sociale, kompania e shpërndarjes së energjisë, CEZ Shpërndarje, ka filluar një fushatë ndërgjegjësimi për një konsum të përgjegjshëm  dhe më të dobishëm të energjisë.  Robert Huqi, specialist i iniciativave për përgjegjësinë sociale pranë kompanisë së shpërndarjes së energjisë, thotë për Tirana Observer se ka shumë mënyra që secili prej nesh të jetë një konsumator i përgjegjshëm i energjisë elektrike. Duke  vlerësuar sjelljen dhe ndjeshmërinë e klientëve të saj, shoqëria CEZ Shpërndarje ka për qëllim që të komunikojë në vazhdimësi këshilla të cilat e bëjnë më të lehtë marrëdhënien e konsumatorit me energjinë që konsumohet nga ta, shprehet z.Huqi. Mjafton që konsumatorët të krijojnë disa zakone në aktivitete e tyre të përditshme, dhe rezultati do të shihet në fund të muajit, ne kursimin qe do te jete i pasqyruar dukshëm ne kilovatet e konsumuar. Më poshtë do të gjeni disa këshilla për një konsum efiçent të energjisë elektrike, një produkt shumë i vyer në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim e sipër, siç është edhe Shqipëria.

Termoizolimi:
Rreth 60 % e konsumit të energjisë për një apartament familjar tipik shkon për ngrohjen, si të ambientit, ashtu edhe të ujit. Edhe në rastet e ftohjes së ambientit në verë, termoizolimi luan një rol shumë të rëndësishëm. Sa më i mirëizoluar të jetë një ambient, aq më gjatë e ruan nxehtësinë apo freskinë.

Frigoriferi:
Ky elektroshtëpiak kaq i domosdoshëm për ne, është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë. Konsumon edhe më shumë se kondicioneri. Prandaj këshillohet që dera e tij të mos qëndrojë për një kohë shumë të gjatë e hapur, të mos vendosen gjëra të ngrohta në frigorifer dhe  të mos lejohet formimi i akullit në pjesën e pasme të tij. Gjithashtu, nëse jeni në kërkim të një frigoriferi të ri, kini parasysh diçka: sa më i madh frigoriferi, aq më shumë harxhon.

Kondicioneri:
Shumë i nevojshëm në ambientet familjare, sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës. Këshillohet që, në verë, temperatura e kondicionerit të qëndrojë stabël në 25 gradë Celsius, kurse në dimër temperatura perfekte është 20 gradë Celsius. Gjatë verës këshillohet që te përdoret edhe freskuesja, në mënyrë që ajri i ftohtë të shpërndahet në të gjithë dhomën.

Lavatriçia
Kur të përdorni lavatriçen, mbusheni kazanin në kapacitetin e tij të plotë. Kini parasysh që rrobat I lan detergjenti dhe jo uji i ngrohtë, prandaj lajini rrobat në ujë të ftohtë dhe përdorni detergjent për ujë të ftohtë. Kështu edhe kurseni energji, por edhe zgjasni jetëgjatësinë e rrobave tuaja. Për të evituar rrudhosjen e rrobave dhe të kurseni disa kilovat, bëni centrifugën në shkallën më të ulët.

Dushi
Instaloni një kokë dushi të vogël: sa më i ulët presioni aq më pak ujë të ngrohtë harxhon dhe për rrjedhojë kursen energji. Te termostati i dushit caktojeni temperaturën në 50 gradë Celsius. Uji i fortë krijon copëza të ngurta rreth rezistencës së dushit, duke e ulur efiçencën e saj, prandaj këshillohet që rezistenca e dushit të pastrohet çdo 6 muaj. Kur nuk jeni në shtëpi, mos e mbani dushin në prizë.

Televizori
TV Plazma janë konsumatorët më të medhenj të energjisë, prandaj nëse doni të kurseni, zgjidhni një LCD. Por ndryshimi qëndron edhe tek madhësia, prandaj midis një 32 dhe një 55, zgjidhni të parin.

Kompjuteri
Fikeni kompjuterin nëse nuk do e përdorni për më shumë se 20 min. Reduktoni kontrastin/ndriçimin e ekranit. Ndërroje desktop-in për një lap-top, sepse harxhon më pak energji. Ndërroje ekranin e vjetër të kompjuterit me një LCD, për te njëjtën arsye.

Këndi i kuzhinës
Kur gatuani, ndajeni ushqimin në copa të vogla. Kështu gatuhet më shpejt, dhe harxhon më pak energji. Gjatë gatimit, përdorni ujë të ngrohtë. Gjatë përdorimit të furrës, mos e hapni shumë herë derën e sobës. Për çdo hapje dere, soba humbet 20 gradë në nxehtësi. Mos përdorni një tenxhere apo tigan më të vogël se vatra e sobës, sepse kjo shkakton humbje të energjisë.

Llambat
Përdorni llamba në Ëatt më të ulët të nevojshëm (40 Ë në vend të një 60 Ë). Përdorni llambat fluoreshente, në vend të atyre inkadeshente. Rrojnë më gjatë dhe harxhojnë më pak.  Kur dilni nga dhoma, fikeni llambën. Për ambientet e jashtme, përdorni dritat me sensor levizjeje.

Super – harxhuesit e energjisë:
Të tillë quhen ato elektroshtëpiake që harxhojnë energji edhe thjeshtë duke qëndruar në prizë. Mund të jetë karikuesi i celularit, televizori, dvd player, etj. CEZ Shpërndarje këshillon që të gjitha këto elektroshtëpiake të vendosen në të njëjtin zgjatues me çelsë, dhe fikeni kur nuk ka njeri në shtëpi.

Sytë te etiketa:
Përpara se të blini një elektroshtëpiake të re, kontrolloni etiketën e furnizmit me energji për klasifikimin e aparaturës në piramidën e efiçensës së konsumit të energjisë. Eletroshtëpiaket që kanë etiketën A+ janë me efiçente dhe kursimtare me konsumin e energjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›