11 të vdekur pas tërmetit në veri të Italisë

Origjina e tërmetit është lokalizuar në rajonin Emilia Romanja dhe sipas medieve lokale, fuqia e tij është vlerësuar 5.8 shkallë të Rihterit.
Lëkundja është ndjerë edhe në qytetet Milano e Bolonja, ku punonjës të sektorit publik janë evakuuar nga ndërtesat, ndërkohë që në zona të tjera ka pasur shembje të pallateve të vjetra.
Epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 40 kilometra në veri të Bolonjës dhe 60 kilometra në lindje të Parmës, në një thellësi prej 9.6 kilometrash.
Lëkundja është regjistruar në orën 09:03 dhe përveç dy qyteteve të mësipërme, është ndjerë kryesisht edhe në Modena, si dhe në rajonin e Venetos.
Tërmeti i së martës vjen pas atij me fuqi prej 6 shkallë të Rihterit, më 20 maj, kur shtatë persona u vranë dhe shumë ndërtesa u shembën.
Ai tërmet shkatërroi disa godina shekullore dhe kulturore të Italisë, si dhe ishte më i rëndi që goditi vendin që prej tërmetit të vitit 2009 në Akuila, ku humbën jetën afërsisht 300 persona.