E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO vret njeriun numër dy të Al Qaidës në Afganistan

Një nga figurat më të vjetra të Al Qaedës në Afganistan ka mbetur i vrarë në një sulm ajror të forcave të NATO-s, të kryer gjatë fundjavës së kaluar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Aleanca përmes një komunikate për shtyp, në të cilën Sakhar al Taif, me origjinë saudite, përshkruhet si njeriu numër dy i Al Qaidës në Afganistan.

Ai ka qenë përgjegjës për drejtimin e kryengritësve të huaj dhe për sulme kundër trupave të koalicionit dhe vetë atyre afgane.

Ndërkohë, burime talebane nga provinca e Kunarit mohojnë vrasjen dhe deklarojnë se lideri terrorist ishte larguar nga zona e sulmit tre muaj më parë.

Megjithatë, në komunikatën e NATO-s thuhet se: “Sakhar al Taifi vdiq në një sulm ajror me saktësi të lartë në rajonin e Uatahpurit, në provincën e Kunarit”.

Sipas njoftimit për shtyp, një tjetër anëtar i rëndësishëm i Al Qaedës ka mbetur i vrarë në të njëjtin sulm.

Al Taifi, i njohur ndryshe me emrat Mustaq dhe Nasim, organizonte trafikun e armëve dhe transportin e kryengritësve në Afganistan. Ai ka pasur lidhje të ngushta me luftëtarët talebanë të zonës.

NATO vlerëson se në Afganistan veprojnë më pak se 100 pjesëtarë të Al Qaedës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›