110 familje trajtohen me ndihmë ekonomike në njësinë administrative Gorë

110 familje trajtohen me ndihmë ekonomike në njësinë administrative Gorë, e cila përfshin 17 fshatra, të bashkisë Maliq. 25 prej tyre janë në fshatin Lozhan i ri, i cili është një fshat që nuk ka tokë dhe mundësitë e punësimit janë të pakta. Ndërsa në fshatrat e tjerë banorët sigurojnë të ardhura përmes blegtorisë dhe bujqësisë.
Banorët e fshatit Lozhan shprehen se të ardhurat me të cilat ata jetojnë, sigurohen kryesisht nga emigracioni, ndërsa një pjesë e tyre, kanë si të vetmen mundësi, ndihmën ekonomike që marrin nga shteti.
Njësia administrative Gorë, është një zonë me potencial për zhvillimin e turizmit, gjë që do të sillte zhvillimin ekonomik në tërësi dhe rritjen e të ardhurave të shumë familjeve, por mungesa e infrastrukturës e ka lënë këtë zonë të pazhvilluar dhe me probleme ekonomike, për rreth 3000 banorë që jetojnë aty.