E Diel, 1 Nëntor 2026

113-vjetori i Forcave të Armatosura, ministri Vengu: Në 1912 ushtria ishte mbijetesë, sot domosdoshmëri për zhvillim

Shqipëria shënon sot 113-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vlerësoi lart sakrificën dhe evoluimin e ushtrisë shqiptare ndër vite, duke e lidhur fatin e saj ngushtësisht me fatin e vetë kombit.

Në fjalën e tij, Vengu hoqi një paralele mes misionit të vitit 1912 dhe atij të ditëve të sotme.

“Fati i Shqipërisë dhe fati i Forcave të Armatosura janë të lidhura; në 1912 ishin një domosdoshmëri për të mbijetuar. Sot janë një domosdoshmëri për të ecur përpara,”, theksoi Ministri.

Sipas tij, parimi themelor mbetet i pandryshuar edhe pas më shumë se një shekulli: Shqipëria duhet të jetë në gjendje të mbrohet, për të qenë në gjendje të zhvillohet.

Faktori NATO dhe njerëzit e uniformës

Duke u ndalur tek rrugëtimi euroatlantik, ministri nënvizoi se 16 vite pas anëtarësimit në NATO, siguria e Shqipërisë nuk matet me madhësinë gjeografike, por me përkushtimin e njerëzve të saj.

“Kjo është edhe arsyeja pse aleatët na besojnë. Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk janë vetëm një institucion. Janë njerëzit e uniformës, familjet e tyre, komunitetet që ndihmohen në emergjenca, dhe qytetarët që punojnë të qetë sepse e dinë që vendi i tyre është i mbrojtur,”, u shpreh Vengu.

Ministri e cilësoi trashëgiminë e 113 viteve shërbim si një burim frymëzimi për të vijuar modernizimin e ushtrisë. Ai e mbylli fjalën e tij me një urim për të gjithë ushtarakët dhe familjet e tyre, të cilët kontribuojnë çdo ditë për integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›