E Shtunë, 31 Tetor 2026

120 mijë banorë të izoluar në Dibër, dëbora bllokon vendin

Shembet shtëpia në Gramsh, shkak dëbora

Një shtëpi  në fshatin Grabovë e Sipërme në Gramsh është shembur plotësisht, për shkak të peshës së madhe të dëborës. Sipas të dhënave të fundit mësohet se shtëpia është shembur pasditen e së henës, ndërsa nuk raportohen të lënduar por vetëm dëme materiale.

Në banesë jetonin pesë persona të cilët nuk kanë pësuar lëndime nga shembja e mureve. Si pasojë e temperaturave tejet të ulëta dhe reshjeve të dëborës rënë ditëve të fundit, janë bllokuar shumë akse, ndërsa banorët e kanë tejet të vështirë të lëvizin.

*   *   *

Kompjuterat, bllokohen kamionët në Qafë-Thanë

Problemet me kompjuterat nga pala maqedonase kanë sjellë vështirësi të shumta në këto ditë të ftohta në Qafë-Thanë.

Mësohet se 15 kamionë janë bllokuar që nga mbrëmja e djeshme, ndërsa probleme janë hasur në zhdoganimin e mallrave në pikën doganore të Qafë-Thanës.

Që prej mesnatës të së djelës, puna në këtë doganë është bllokuar për shkak të problemeve në sistemin kompjuterik të palës maqedonase.

Temperaturat nën zero e vështirësojnë dhe më shumë situatën, ndërsa ende nuk ka një konfirmim se kur do të riparohet defekti.

*  *   *

Mirëditë, 14 mijë banorë të izoluar

Pos dy bashkive Rrëshen dhe Rubik, qendër qytete, të gjitha njësitë e tjera vendore-komuna në Mirditë rezultojnë të izoluara nga dëbora e rënë përgjatë gjithë natës dhe paradites së sotme. Trashësia e dëborës varion nga 1 deri në 2.5 metra në zonat e thella malore.

Sipas nënprefektit Gjon Pjetri, 14 mijë banorët e komunave Fan, Orosh, Selitë, Kthellë dhe Kacinarë janë të izoluar nga trashësia e dëborës së rënë vrullshëm ndërsa rrugët rurale dhe ato në mes fshatrave dhe lagjeve janë të bllokuara. Më problematike gjendja paraqitet në Selitë, ku trashësia e dëborës e kalon 2 metra ndaj është bërë thirrje ministrisë së mbrojtjes të adresojë një traktor të tonazhit të rëndë më zinxhirë.

Emergjenca shëndetësore janë paraqitur në disa fshatra, por më i rëndi ka qenë ai i një fshati të komunës Fan, ku është bërë evakuimi i Ded Nikës me plasje stomaku, të cilin nga Domgjoni deri në qendër Fan e kanë sjellë vetë banorët e fshatit pas 5 orë rrugë në këmbë duke e transportuar në mjet rrethanor.

Ndihmë ka kërkuar dhe B. Deda ne Lajthizë ku trashësia e dëborës i kalon 2,5 metra. Gjithashtu banorët në këtë fshat apo Nënshejt rezultojnë të izoluar dhe pa ushqime për vete dhe për bagëtitë me të cilat dhe përballojnë jetesën.

Shtabi i emergjencave civile bëri një takim sot në Rrëshen ku ishte prefekti dhe kryetari i këshillit të qarkut Lezhë, ndërkohë që ky qark shënon vetëm Mirditën të izoluar.

*   *   *

Dibër, situatë kritike, 120 mijë banorë të izoluar

DIBËR Situatë dramatike mund të konsiderohet ajo që po përjetojnë 120 mije banorët e qarkut të Dibrës nën një dimër të acartë dhe të mbuluar me dëborë si rrallë ndonjëherë. Të vdekur që mezi varrosen, të gjitha komunat e izoluara, të sëmurë që transportohen me krahë drejt qyteteve Peshkopi e Bulqizë, shtëpi që rrezikohen të shemben, frikë e panik nga orteqet që mund të nisin, banorë që kërkojnë evakuim nga shtëpitë e tyre-

Kryetarët e 14 komunave të Dibrës, 7 të Bulqizës dhe 2 të Matit raportojnë se situata vazhdon të përkeqësohet. Edhe pse rrugët janë hapur ditë më parë ato sërish bllokohen nga bora që vazhdon të bjerë papushim. Mjetet janë përqendruar në rrugën nacionale Milot-Peshkopi, kryesisht në segmentin Qafa e Buallit-Shupenzë, ndërkohë që rrugët rurale janë tërësisht të bllokuara, duke izoluar banorët e 23 njësive vendore në Qarkun e Dibrës.

Sipas kryetarit të komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari situate atje është tejet kritike. Rruga që lidh komunën me Peshkopinë është hapur dy herë me fondet e komunës dhe prej dy ditësh është bllokuar përsëri. Në Radomirë dhe Shullan rezervat ushqimore po mbarojnë. Po ashtu nuk ka shërbim shëndetësor dhe as ilaçe.. Në këtë komunë janë izoluar 3375 banorë. Misri I zier është shpëtimi I jetëve njerëzore për shumë familje.

E ndërkohë Xhemal Delishi, kryetar i komunës Selishtë në rrethin e Dibrës shprehet se as media dhe as shtabet e emergjencave nuk e përmendin komunën e tij, ndërkohë që të 2089 banorë rezultojnë të bllokuar prej dy javësh. Ilaçet për të sëmurët kronikë kanë mbaruar. Ushqimet e siguruara për dimër po pakësohen çdo ditë. Banorët e gjashtë fshatrave të kësaj komune presin ndihma nga shteti, ndryshe gjendja e tyre vihet në rrezik.

Njazi Cani kryetar I komunës Zalldardhë, thotë se 1343 banorët e 9 fshatrave janë në gjendje të rëndë, pasi trashësia e borës në disa zona është mbi 2 metra. Një banesë në Lugje është shembur, ndërkohë që çatitë e banesave të tjera vihen në rrezik nëse reshjet vijojnë me këtë intensitet. Dy raste të emergjencave shëndetësore u zgjidhën me ardhjen e helikopterëve-tha kryetari i Zallë Dardhës.

Fushë Bulqiza me 4145 banorë vazhdon të jetë në situatë tejet kritike. Sipas kryekomunarit Fluturim Zeneli 7 fshatrat e kësaj komune janë të izoluar. Ai th0otë se nuk kemi nevojë vetëm për kuti ushqimesh port ë hapen rrugët. Kërkuam nga Prefektura një mjet borëpastrues pasi kishim një rast vdekje por nuk na u dha ndaj është ngrit fshati në këmbë për të bërë varrimin në varrezat e fshatit. Kështu ka ndodhur edhe në Zerqan, kur një i vdekur ka qëndruar dy ditë pa u varrosur-nënvizoi Zeneli i Fushë Bulqizës.

Edhe kryetari i Shupenzës njoftoi se situata është shumë e rëndë në fshatrat e kësaj njësie. Kovashica, Gjurras e Bllatë vazhdojnë të jenë të izoluara prej ditësh. Banorët e fshatrave të Zallë Reçit e Zallë Dardhës janë përfshirë nga paniku sepse mund të nisin orteqet, pasi këto zona njihen për orteqe në stinën e dimrit.

E ndërkohë në komunën e Muhurit janë regjistruar tre raste të emergjencës shëndetësore, por banorët i kanë dërguar ato me barrela në krahë drejt spitalit të Peshkopisë. Po ashtu banorët e Kastriotit i kanë ardhur në ndihmë një gruaje shtatëzënë që rrezikonte, duke e transportuar drejt maternitetit të Peshkopisë.

Mungon energjia elektrike por dhe ndërlidhja mobile në jo pak prej fshatrave për defekte të antenave. /Gj.Marku/

*   *   *

Situata nga moti, qeveria e ve theksin te pushteti lokal dhe solidariteti

Mbulimi i më shumë se gjysmës së sipërfaqes së vendin nga dëbora ka bërë që qeveria të ngrejë duart përballë situatës së krijuar. Kryeministri Sali Berisha, siç ka bërë në dy rastet e fundit të përmbytjeve në veri (ndodh njëherë në 100 vite) edhe këtë herë tha se sot një gjeneratë e tërë nuk njeh dimër si ky.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha foli për rolin e pushtetit lokal dhe solidaritetin njerëzor për përballimin e situatës ndërsa për qeverinë u mjaftua duke thënë se do bëhet gjithçka është e mundur.

Por të paktën Berisha nuk e hapi mbledhjen me impresionet e tij nga vizita në Azerbajxhan siç bën pas çdo vizitë e la këtë çështje për në fund të mbledhjes.

Në këtë situatë të krijuar nga reshjet e dëborës, Berisha tha se qytetarët e bllokuar kërcënohen më shumë nga rrezikshmëria që vjen nga çatitë e shtëpive dhe ortegjet.

Rol përcaktues kanë qeveritë vendore, tha Berisha. Kryetarët e komunave të bëjnë gjithçka që është e mundur për ato shtëpi dhe lagje që kërcënohet nga ortegjet e dëborës, shtoi ai.

Përveçse ua kalojë përgjegjësinë pushtetit lokal, Berisha bëri thirrje edhe për solidaritet mes qytetarëve. Ata që e njohin dëborën dhe dimrin me dëborë të madhe ata e kanë të qartë se jetike është roli i kolektiviteti, është solidariteti, është mbështetja që këta qytetarë duhet ti japin njëri-tjetrin. Të ndajnë gjithçka deri sa tu arrijnë ndihmat.

Më tej kryeministri tha se deputetët janë që të gjithë bashkë me qeveritë vendore (Berisha po fliste në mbledhjen e grupit të deputetëve).

*   *   *

Nishani: 400 mln lekë për hapjen e rrugëve  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›