E Diel, 1 Nëntor 2026

13 vjet Organizata joqeveritare “Besa”, Presidenti e dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes”

TIRANE- Organizata joqeveritare Fondi BESA festoi sot 13 vjetorin e Krijimit të Institucionit.
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, dekoroi sot në mesditë me “Medaljen e Mirënjohjes” organizatën joqeveritare dhe jofitimprurëse “Besa” sh.a.

Për këtë përvjetor u zhvillua një ceremoni e veçantë në mjediset e “Kompleksit Tropikal” në Durrës.

Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Drejtorit Ekzekutiv të Fondit “Besa” sh.a., zotit Bajram Muça, i cili vuri në pah në mënyrë të përmbledhur kontributin shumëvjeçar të Fondit në dhënien e ndihmës për rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë së vendit në zonat urbane dhe gjysmë urbane, nëpërmjet promovimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Ndërsa Presidenti Topi, duke përshëndetur të pranishmit në këtë aktivitet të rëndësishëm të evidentimit dhe vlerësimit të organizmave të rëndësishëm që japin ndihmesë të vazhdueshme në drejtim të zhvillimit ekonomik të vendit, theksoi se “asnjëherë nuk është vonë për të vlerësuar një punë, një punë që është konsoliduar dhe tashmë ky fondacion është një institucion i vërtetë, që shkon paralelisht me politikat e të gjitha qeverive shqiptare për të ndihmuar Shqipërinë, për zhvillim ekonomik në radhë të parë, por edhe për zbutje të varfërisë”.

Fondi BESA

Fondi BESA sh.a është një institucion financiar jo-bankë i cili ka si mision të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë së vendit në zonat urbane dhe gjysmë-urbane, nëpërmjet kreditimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri, nxitjen e vetëpunësimit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Rrënjët e aktivitetit të tij shtrihen që në Shkurt të vitit 1994, në kuadrin e projektit të Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare për zbutjen e varfërisë në Shqipëri. Bazuar në rezultatet e shkëlqyera, ne vitin 1999, Fondi Besa u krijua si një institucion i veçantë duke u zhvilluar dhe zgjeruar shtrirjen e tij pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit të tij 13-vjeçar, si një ndër pionierët e parë të mikrofinancës në Shqipëri, Fondi Besa sh.a. ka dhënë rreth 81 mijë kredi me një shumë prej rreth 295 milionë USD, duke kontribuar në krijimin e mbi 32,000 vende të reja pune, të cilat kryesisht lidhen me biznese familjare dhe që fillesën e tyre e kanë me financimet e marra nga Fondi Besa sh.a.

Në fund të muajit Mars 2012, klientela e Fondit Besa sh.a. arrin në rreth 20,071 klientë aktivë me një tepricë kredie prej rreth 45 milion US$.

Sot, Fondi Besa sh.a operon në 52 zyra të shtrira në të gjithë vendin, me një staf prej 250 punonjësish dhe mbulon rreth 90% të zonave urbane dhe gjysmë-urbane të Shqipërisë.

Partnerët e Fondit Besa janë Qeveria Shqiptare; Banka Botërore; ICO – Instituti i Kreditimit i Qeverisë Spanjolle; Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Qeveria Italiane, IFC dhe institucione të tjera ndërkombëtare financiare.

Bazuar në rezultatet e arritura, kompania prestigjioze amerikane “Forbes”, në vlerësimin e saj për industrinë e mikrofinancës në rang botëror e ka renditur Fondin Besa sh.a në 50 institucionet mikrofinanciare më të mira në botë.

Gjithashtu, duke konsideruar arritjet dhe performancën e lartë të fondit BESA sh.a. ndër vite, në Qershor 2011 në Frankfurt, Fondi Besa sh.a është nderuar nga BID (Business Iniciative Directions) me çmimin special “HARKU I EUROPËS PËR CILËSINË DHE TEKNOLOGJINË” në kategorinë e artë, për kontributin e veçantë në botën e biznesit dhe për nivel të lartë dhe profesionalizëm të demonstruar nëpërmjet një prformancë prestigjioze. Ne Mars 2012, Fondit Besa i është akorduar Çmimi Platinium për “Planifikimin strategjik, Kënaqësinë Konsumatore, Lidershipin dhe Standartizimin”

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›