E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallja e zgjedhjeve në Greqi, Papadhimos nesër te Presidenti

ATHINE - Kryeministri Lukas Papadhimos do të zhvillojë nesër pasdite në ora 17:00 një takim me Presidentin e Republikës, Karolos Papulias. 

Papadhimos do të kërkojë nga presidenti shpërbërjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Para takimit me Papulias, kryeministri Papadhimos pritet të mbledhë për herë të fundit Kabinetin qeveritar. 

Me shumë gjasë, 6 maji do të shpallet si data për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi.

“Zgjedhjet do të bëhen më 6 maj dhe objektivi ynë është maxhoranca qeveritare”, deklaroi kryetari i Demokracisë së re, Antonis Samaras gjatë një interviste për televizionin Mega dhe përsëriti se "pas zgjedhjeve do të bëjë ndryshime në politikën e deritanishme". “Nëse nuk do të ketë maxhorancë qeveritare do të imponohet nga rrethanat përsëritja e zgjedhjeve, sepse vendi nuk mund të mbetet pa qeverisje. Unë dua t’i kem duart të zgjidhura që të mundem të marr vendimet e nevojshme”, theksoi Samaras. 

Ai përjashtoi edhe njëherë mundësinë e bashkëqeverisjes me PASOK-un, duke thënë: “Nuk kam gjë me zotin Venizelos, por PASOK-ut nuk i besoj. Unë dua të ndryshoj Greqinë, nuk dua tolerancën e PASOK-ut, dua verdiktin e popullit grek”. Samaras e bëri të qartë se në çdo rast, kryeministri i ardhshëm i vendit “do të jetë kryetari i partisë që do të dalë e para në zgjedhje”. 

Në këto kushte shefja e FMN, Christine Lagarde, i dërgoi Greqisë, një mesazh për “aplikimin e qëndrueshëm të reformave”. 

Lagarde tha se “zgjedhjet janë një moment gjatë të cilit partitë e përgjegjshme duhet të jenë të guximshme e t’i thonë të vertetën popullit. Nuk do të ishte e urtë nga ana e popullit grek të gjejë strehë në partitë laiciste”. 

Shefja e FMN-së tha se Greqia ka shumë rrugë akoma për të bërë, dhe rreziku ende s’ka kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›