E Diel, 1 Nëntor 2026

14 Janari, Jahjaga parashikon tryezë politike, partitë skeptike

PRISHTINE-Mediat kosovare shkruajnë sot se Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, pritet që brenda tre ditësh të ftojë në një tryezë të gjitha forcat politike parlamentare dhe joparlamentare, në përpjekje të tejkalimit të situatës së krijuar pas ngjarjeve të 14 janarit.

Por, duke parë situatën aktuale pas ashpërsimit të raporteve ndërmjet Qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi dhe partisë së Albin Kurtit, rreth zbatimit të vendimit të Kuvendit për reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar me shtetin serb dyshohet se kjo tryezë nuk mund të mblidhet”, shkruan e përditshmja kosovare, “Zëri”.

Këshilltari i lartë i presidentes, Ramush Tahiri i ka deklaruar gazetës “Zëri” përmes një telefonate, se menjëherë pas kthimit nga vizita në Emiratet e Bashkuara Arabe, Jahjaga do t’i ftojë të gjitha subjektet politike parlamentare dhe joparlamentare për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë.

“Presidentja posa të kthehet nga vizita zyrtare, do të përmbushë obligimin e saj ligjor dhe do t’i ftojë partitë në një takim në përpjekje të tejkalimit të situatës së krijuar pas protestës së 14 janarit”, ka thënë Tahiri.

Megjithatë, ai nuk ka mundur të konfirmojë ditën se kur do të ftohen partitë politike për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit, porse ka theksuar se një gjë e tillë gjithsesi se do të ndodhë para 22 janarit, kur edhe Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar organizimin e protestës së radhës për bllokimin e dy pikave kufitare në Merdar dhe Dheu i Bardhë.

Por ftesës së Jahjagës nuk pritet t’i përgjigjet pozitivisht partia e Albin Kurtit, pasi sipas zyrtarëve të kësaj partie, në asnjë variant nuk do të negociohet vendimi i Kuvendit të Kosovës, i cili e obligon Qeverinë për reciprocitet me Serbinë.

Partia e Isa Mustafës konsideron se ky dialog është mëse i nevojshëm, edhe pse zyrtarë të kësaj partie janë skeptikë se presidentja Jahjaga do të arrijë që t’i ulë në një tavolinë zyrtarët e partisë së Thaçit dhe ata të Vetëvendosjes.
“Ky do të jetë një takim formal, por pa ndikim, duke pasur parasysh peshën politike që ka aktualisht presidentja.....”, theksoi nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ndërkohë në një njoftim për shtyp, dje në mbrëmje Presidentja Jahjaga dënoi zhvillimet më 14 Janar dhe theksoi se kjo ditë shërben vetëm si kthim pas të Kosovës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›