E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimi i Kreshnik Spahiut, "Ligjet" nisin procedurat

TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot kërkesën e grupit parlamentar të PD-së për të hetuar nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu me qëllim shkarkimin e tij nga ky post. Kërkesa u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja.

Nënkryetari i KLD-së u paraqit në komision, ku fillimisht u dëgjua relacioni i deputetit të PD-së, Viktor Gumi, i cili parashtroi kërkesën e maxhorancës që kërkonte shkarkimin e Spahiut.
Kërkesa e demokratëve argumenton se "Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur".

Por, që në nisje të mbledhjes seanca u shoqërua me debate e tensione. Rusmajli nxjerr jashtë Spahiun, sapo ky i fundit fillojë të flasë. Ai deklaroi se e konsideron gjithë këtë procedurë për shkarkimin e tj si "antikushtetuese pasi nuk vendos Kuvendi për largimin e tim nga detyra...Ju nuk më shkarkoni dot,- deklaroi nënkryetari i KLD-së.

Rusmajli e akuzoi Spahiun se po përpiqet ta kthejë këtë seancë në konferencë shtypi, duke dalë kështu tërësisht nga rendi i ditës.

“Po sillesh me harbutëri, po del jashtë rendit të ditës”, tha Rusmajli, ndërsa i kujtoi Spahiut se, “Kur të ngrihet komisioni hetomor do kesh mundësi pa fund për të folur. Këtu në këtë komison vendos unë”, tha ai.

Opozita largohet nga mbledhja, Xhafaj: Nuk bëhemi pjesë e kësaj farse
Anëtari i opozitës në Komisionin e Ligjeve Fatmir Xhafaj theksoi sot ne mbledhjen e Komisionit te Ligjeve se kjo që ndodhi sot në rastin Spahiu, ishte e shëmtuar dhe se opozita nuk pranon të bëhet pjesë e kësaj farse.
“Duhet te bëni komision hetimor për gjendjen e drejtësisë. Dje për ju, Spahiu ishte luftëtar i drejtësisë, sot i thoni horr e sharlatan”, tha Xhafaj.
Rusmajli debatoi me Xhafaj duke e pyetur nëse socialistët janë bërë deputetë të Spahiut, por opozita ndërkohë u largua nga salla e mbledhjes.

Propozimi per shkarkim
Shkarkimi i Spahiut u bë i njohur nga kryeministri Sali Berisha, dy ditë më parë e cila u pasua me kërkesën e demokratëve për ngritjen e një komisioni hetimor për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e detyrës së tij.

Demokratët thonë se Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin të drejtësisë e Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur.

(ma.ar/da.bo/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›