E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 janari”, familjarët e viktimave letër Arvizusë

Letra është nënshkruar nga familjarët e Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtajt si dhe Hekuran Dedës.

"Dhimbjen tonë të madhe do ta zbuste sadopak zbardhja e krimit, nxjerrja para drejtësisë e atyre që urdhëruan dhe realizuan këto vrasje të tmerrshme. Por drejtësia nuk ka dhënë akoma asnjë përgjigje, edhe pse pas pak ditësh mbushet plot një vit nga dita e tragjedisë. Kjo e dyfishon dhimbjen tonë. Këtë njëvjetor ne e kemi më të vështirë të shkojmë te varret e tyre se sa ditën kur i varrosëm. Sepse edhe ata nuk do të gjejnë prehje pa u bërë drejtësia”, shkruhet në letër.

 Familjarët kërkojnë nga ambasadori që të nxisë Prokurorinë që të zbardhë ngjarjen dhe fajtorët të dërgohen para drejtësisë. “Filmimet e të gjitha mediave televizive të pranishme në bulevard me 21 Janar kanë treguar se armët e zjarrit nga Garda e Republikës u përdorën kur demonstrata po shpërndahej. Nuk ka patur dhe nuk ka nevojë për asnjë hetim të stërholluar për të provuar se me 21 Janar 2011 forcat e komanduara nga kryeministri Sali Berisha nuk shpëtuan asnjë jetë por morën jetë", thuhet në letër.

“Pabesia e madhe në vrasjet e 21 janarit është se njerëzit janë vrarë si në diktaturë duke menduar se janë në demokraci. Përsëritja pas një viti e të njëjtit qëndrimi cinik nga kryeministri dhe anëtarët e qeverisë së tij tregon mungesë të plotë reflektimi dhe pendese. Por mburrja me përdorimin e armëve të zjarrit kundër civilëve të thjeshtë është në vazhdën e presioneve të qeverisë për intimidimin, devijimin dhe mundësisht bllokimin hetimi të vrasjeve”, vijon letra. /Start/

                                                                                             2012-01-17 16:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›