E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

14 maji/ Alibeaj: Na mbështet SHBA dhe BE, jemi e djathta e pastër jo si Berisha, Meta dhe Rama

Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar bashkie, Sokol Guga për Tepelenën ka deklaruar se në zgjedhjet e 14 majit, grupimi i tij do të ofrojë të djathtën e pastër shqiptare.

Sipas Alibeajt, atë mund ta bëjë vetëm grupimi që ai drejton sepse ka mbështetjen e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, ndryshe nga sa ndodh me Ramën, Berishën dhe Metën.

“Ndaj edhe këto zgjedhje janë të rëndësishme si zgjedhje lokale, janë akoma më të rëndësishme, gurthemeli për atë se çfarë do të vij më vonë. Është detyrimi ynë këtu për të krijuar pikërisht, të djathtën në Shqipëri, ofertën e pastër që nuk e ka pasur ky vend pothuajse prej 8 vite e kusur vitesh”, u shpreh Alibeaj.

Sipas Alibeajt, Perëndimi mund të bashkëpunojë vetëm me grupimin e tij politik dhe jo treshja e politikës 32-vjeçcare, Rama-Berisha-Meta.

“Kjo është sfida jonë, një mbajmë fortë Partinë Demokratike, partia e 32 viteve më parë, e vlerave që lindi në atë kohë, shpresë për shqiptarët, spiranca e vetme e perëndimit. Këtu në Shqipëri, e vetmja spirancë e perëndimit është Partia Demokratike.

Se nuk mund të jetë Rama, e dini marrëdhënien që ka krijuar me perëndimin, se s’mund të jenë Berisha e Meta me non gratat dopjo që kanë mbi kurrizin e tyre. Është vetëm Partia Demokratike. Dhe së dyti, që është akoma më e rëndësishme, e djathta”, ka theksuar Alibeaj.

Për këtë arsye, Alibeaj theksoi se klasa e vjetër politike është e zhytur në korrupsion.

“Ata duan një qeverisje pa korupsion. Ne nuk kemi halle të tilla. Tre palët e tjera, po t’I vini re problemin e madh që kanë është kur I thërret SPAK-u.

Kur thërret SPAK-u pjesën e Ramës, kur thërret SPAK-u pjesën e Berishës, kur thërret SPAK-u pjesën e Metës.

Ky është halli i tyre, hall i madh është. Ne nuk e kemi këtë hall. Këtu jemi të qetë ne. Ndaj, besojmë ne që jemi partner të politikave të perëndimit dhe së dyti të shqiptarëve të ndershëm, ata të cilët nuk votojnë as njërin as tjetrin.

Asnjërin nga brinjët e trekëndëshit, nuk i votojnë, rrinë në shtëpi ata. Ne kemi detyrim tani t’u drejtohemi pikërisht kësaj pjese, ai është targeti ynë”, u shpreh ai.

Kreu i komanduar i demokratëve tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme pasi janë gurthemeli për atë se çfarë do të vij më vonë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›