14 maji/ Celibashi: Renditja e kandidatëve, para 14 prillit! Po shqyrtojmë 3 kërkesa nga PD dhe PS për verifikim figure

KQZ ka shtyrë hedhjen e shortit për renditjen e kandidatëve në fletën e votimit që do garojnë në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi deklaroi se duhet të kryhet shqyrtimi i ankimeve në KAS dhe Koelgjin Zgjedhor dhe para datës 14 prill, ditë kur hapet fushata elektorale, do të publikohet lista përfundimtare me kandidatët.
“Ështe një kërkesë nga përfaqësuesi i PS që KQZ i cili kërkoi që të respektohet strikt procedura e hedhjes së shortit, sipas së cilit do duhet të hidhet shorti për subjektet zgjedhore paraprakisht dhe mandej për kryetarët e bashkive.
Do ishte më me sens që dhe shorti për kryetarët e bashkive të hidhej për të gjithë, me qëllim që të mos ishte dikush i avantazhuar se do merrte dijeni sot mbi vendndodhjen e tij mbi fletën e votimit për 11 bashkitë që ne kishim menduar të hidhej shorti.
Ne shpresojmë që procedurat ankimore të përfundojnë para datës 14 kur fillon fushata elektrorale, që kandidatët të kenë dijeni për renditjen në fletën e votimit, si ata për kryetar bashkie dhe ata për subjekt zgjedhor.
Teorikisht mund të ndodhë që KAS, apo Kolegji zgjedhor vendimet mund ti marrë dhe tej këtij afati dhe kjo vendimmarrje mund të ishte në përputhje me parashikimet e ligjit.
Do duhet që në çdo lloj rrethane procedurat e shqyrtimit të ankimit dhe vendimmarrjes do duhet të përfundojë para se të fillojë fushata zgjedhore”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ sqaroi se janë 3 raste që do të shqyrtohen nga KAS-i, dy për kandidat për kryetar bashkie dhe një për anëtar për këshillin bashkiak. Pas shqyrtimit të këtyre 3 rasteve, do jetë gati dhe lista me kandidatët në fletën e votimit që do garojnë në 14 maj.
“Nëse sot do paraqitet një kërkesë ankimore në Kolegjin Zgjedhor ata kanë të drejtë që brenda 10 ditësh ta shqyrtojnë.
Teorikisht ata mund ta marrin vendimin dhe pas datës 14, gjë që nuk bën shumë sens.
Do i dërgoj një njoftim dhe shkresë zyrtare të Kolegjit Zgjedhor që në raste kur ka kërkesa ankimore ta shqyrtojnë para datës 14.
KAS ka sot dhe nesër dy raste për të shqyrtuar. Listën përfundimtare të kandidatëve për kryetar bashkie ta kemi përpara se të fillojë fushata zgjedhore”, shtoi ai.
Sa i përket çështjes së dekriminalizimit, Celibashi u shpreh se janë 3 kërkesa, dy nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike, për kandidatët për kryetar bashkie.
Ditën e mërkurë, theksoi Celibashi, do të hapet procesi për shqyrtimin e këtyre kërkesave. Në rast se do të lind nevoja për procedim të thelluar, KQZ do i drejtohet me një shkresë Prokurorisë ku do i kërkojë angazhimin për rastin.
“Po presim shqyrtimin e këtyre 3 rasteve për regjistrimin e kandidatëve, dy për kandidat për kryetar bashkie dhe një për anëtar për këshillin bashkiak, kandidat i mbështetur nga zgjedhësit ( Devolli, Bashki Finiq…).Janë 3 raste në proces shqyrtimi. Në momentin qe do përfundojë procesi i shqyrtimit të tyre do kemi gati listën.
Janë dy raste 2 raste të PS dhe një rast i PD mbi përputhshmërinë për ligjin për dekriminalizimin të këtyre kandidatëve, ditën e mërkurë do hapim procesin e shqyrtimit të këtyre kërkesave për konsideratat që ata kanë prezantuar në lidhje me kandidatët përkatës.
Nëse do jetë rasti për të proceduar me hetim të thelluar do i kërkojmë prokurorisë të angazhohet nga pikëpamja procedurale. nëse nuk ka vend për hetim të thelluar, vendimi do merret nga komisioneri për këto kandidatë”, tha ai.
Pyetur me vendimin e qeverisë për rritjen e pagave, Celibashi u shpreh se parashikimet ndaluese të KQZ janë vetëm për rastin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
“Nuk ka çfarë ti shtoj qëndrimit që kam mbajtur më parë në lidhje me këtë çështje. Gjithsecili mund të ketë komentet e veta të këtyre akteve të qeverisë por ajo çfarë në cilësinë e komisionerit do duhet të vlerësoj është përputhshmëria e veprimit apo vendimmarrjes së institucioneve publike në raport me Kodin Zgjedhor.
Kemi vlerësuar se ato parashikime ndaluese janë vetëm për rastin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Tej kësaj e kam një opinion që as do zgjidhte gjë, as nuk do ndihmonte gjë opinioni im”, tha ai.
/rtsh.al/