Berisha: Kandidatët e Alibeajt, paterica të Erion Veliajt! SHBA të hetojë pronat e Yuri Kim në Shqipëri

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetin social në Facebook, ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar kandidatët e PD-së zyrtare për zgjedhjet lokale të 14 majit. Sipas Berishës, të gjithë kandidatët e kryetarit të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, “janë vetëm paterica të Erion Veliajt”. Edhe njëherë, Berisha ka hedhur poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me Alibeajn.
“Çdo kandidat përveç Belind Këlliçit, është kandidat i Edi Ramës. Ai kandidon për të ndihmuar kandidatin e Edi Ramës, që përbën në vetvete falsititetin më të madh, një nga njerëzit më të korruptuar të këtij vendi, një nga njerëzit më mashtrues dhe më pa ndjenja për qytetarët. Të gjithë kandidatët e Alibashës dhe Bravës janë vetëm paterica të Erion Veliajt. Janë njerëz që kanë kaluar në krah, në sqetullat e Edi Ramës, nuk kanë asgjë të përbashkët me të djathtën. Nuk besoj kurrë se e djathta mund të bëhet me njerëz si Alibasha dhe Lulzim Brava, të cilët janë pengje në lidhje krimi të Edi Ramës”, tha Berisha.
Ish-kryeministri ka hedhur akuza edhe në drejtim të ambasadores së SHBA, Yuri Kim për të cilën tha se ka kaluar limitet e mandatit të saj. Sipas Berishës, Kim është e korruptuar, teksa i kërkon SHBA që të hetojë pronat e ambasadores në SHBA.
“Ambasadorja, të cilën unë e quaj guvernatore, ka tejkaluar çdo lloj limiti të mandatit të saj, të normave, të respektit, të sovranitetit të një vendi. Për shkak të mashtrimeve që ajo i ka bërë qeverisë së saj, ajo ka ndërmarrë akte të dënueshme ndaj drejtësisë shqiptare. Mjafton të kujtoj këtu se prokurorët që ajo ka kapur vazhdimisht me kërkesën staliniste se pse nuk e arrestoni Sali Berishën. Disa prej tyre do kishin dashur t’ia plotësonin atë dëshirë, por kanë marrë përgjigje se nuk rezulton asnjë fakt, asnjë dokument. Por ky është vetëm një aspekt i saj. Aspekt tjetër shumë i rëndë është qëndrimi në aferën McGonigal. Ajo është kokë e këmbë e përzier dhe një kopje me fustan e McGonigal në kuptimin e korrupsionit nga kjo qeveri për të luftuar opozitën në mënyrën më të paprinciptë. Unë kam zgjedhur të mbroj interesat e publikut shqiptar duke e denoncuar atë në çdo rast. I kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat e saj në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/