E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha dhe Meta prezantojnë Luçiano Boçin në Elbasan: Në 14 maj ndryshimi vjen për gjithë Shqipërinë

Megjithëse fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, nis në 15 prill, kreu i grupit politik ‘Rithemelimi’ i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me kreun e Partisë së Lirisë kanë prezantuar kandidatin për kryetar bashkie të Elbasanit, Luçiano Boçi.

Sipas Berishës në 14 maj shqiptarët do përfaqësohen denjësisht nga Luçiano Boçi.

“Më 14 maj ne çelim kohën e vendosjes në piedestal të përfaqësimit tuaj, të dinjitetit tuaj. Liria në thelb nuk ka asgjë tjetër më shumë se dinjiteti i një njeriu. Kjo është liria e individit, me Luçiano Boçin dhe gjithë kandidatët e primareve ne hapim kapitullin e përfaqësimit politik dinjitoz, të qytetarëve.

Ne zotohemi se ju jeni dhe do të mbeteni, të parët, të parët, për Luçiano Boçin, për kandidatët e primareve në mbarë Shqipërinë”, theksoi Berisha.

Berisha vuri në dukje se kryeministri Rama ka tjetërsuar arsmin shqiptar.

“Do pyesnin ç’ka ndodhur me qytetarët e këtij qyteti të bekuar, ç’ka ndodhur me shqiptarët, si ka mundësi që në djepin e arsimit, vitin e kaluar të preferojnë të vijnë vetëm dy të rinj shqiptarë. Kush tjetërsoi arsimin në këtë mënyrë për shqiptarët. Cili është ai armik, cili është ai pushtues që u bëri shqiptarëve këtë gjë me arsimin e tyre.

Përgjigja është 1 dhe vetëm 1: është Edi Rama, është Edi Rama dhe regjimi i tij”, u shpreh ai.

Në prezantimin e kandidatit Luçiano Boçi ka qenë i pranishëm edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Meta shkruan se “entuziasmi për Luçiano Boçin dhe padurimi i qytetarëve të Elbasanit për Ndryshim, sot oshëtiu fort në të gjithë Shqipërinë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›