14 maji/ Mblidhet kryesia e PS-së, bëhet gati lista zyrtare me emrat e kandidatëve për zgjedhjet vendore

Në Partinë Socialiste është mbledhur kryesia e kësaj force politike për të zyrtarizuar kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në këtë mbledhje pritet që të caktohet lista përfundimtare e kandidatëve për postet drejtuese të bashkive të vendit dhe ato të këshilltarëve bashkiakë, teksa kanë mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i afatit zyrtar të depozitimit të listave në KQZ.
Një nga emrat që do të kandidojë për bashkinë e Vlorës është ai i Ermal Dredhës, i cili do të zëvendësojë Dritan Lelin për këtë qark.
Vendimi u mor në Asamblenë e Partisë Socialiste së Vlorës paraditen e sotme ku i pranishëm ishte edhe kryeministri, njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama.
Me votim të fshehtë socialistët kanë zgjedhur me 213 vota Ermal Dredhën si kandidat të PS-së për bashkinë e Vlorës kundrejt rivalit të tij socialist deputetit Fate Velaj, i cili mori 50 vota. Dy vota dolën të pavlefshme ndërsa në total ishin 265 vota, informon rtsh.al
Aktualisht Ermal Dredha mban postin e ambasadorit në Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa më parë ka shërbyer dhe si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, Itali.
Dredha është djali i Neki Dredhës, i cili ka mbajtur postin e kryebashkiakut të Vlorës në vitet 1998 – 2000.
/rtsh.al/