14 skuadra të përbashkëta hetimore, kreu i Antimafias italiane takon drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda

Drejtori i Drejtorisë së Hetimit Antimafia të Italisë (DIA), zhvilloi të premten një vizitë të rëndësishme në Policinë e Shtetit për të folur për operacione të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe kapjen e qindra personave në kërkim ndërkombëtar.
Gjeneral Lejtnant Michele Carbone, u prit në një takim zyrtar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor, Ilir Proda.
Gjatë takimit, të dy drejtuesit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane – përfshirë DIA-n, Policinë Italiane, Ekspertin e Sigurisë dhe Zyrën Inteforze në Shqipëri.
Ky bashkëpunim ka rezultuar me ngritjen e 14 skuadrave të përbashkëta hetimore, dhjetëra operacione të suksesshme kundër krimit të organizuar, kapjen e qindra personave në kërkim ndërkombëtar si dhe në punën e përbashkët për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Të dy palët u angazhuan për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi model, që tashmë përbën shembull pozitiv për të gjithë rajonin.
/rtsh.al/