E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

14 vite nga “21 Janari”, përfaqësuesit e mazhorancës: Thirrje për drejtësi dhe llogaridhënie


TIRANË, 21 janar /ATSH/ Ngjarjen tragjike të 21 Janarit 2011, në Tiranë, ku humbën jetën katër protestues të pafajshëm, e kanë kujtuar sot politikanë dhe përfaqësues të mazhorancës.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se 21 Janari është një plagë në historinë tonë.

“Të paharruar! 21 Janari është një plagë në historinë tonë, por edhe një thirrje për drejtësi e llogaridhënie. Sot kujtojmë ata që humbën jetën duke kërkuar një Shqipëri më të drejtë e më demokratike”, shkruan ai.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili mori pjesë sot në homazhet për viktimat e 21 janarit, tha se “bashkë me dhimbjen që nuk shuhet ende, familjarët vazhdojnë të presin drejtësi.”

“Nuk kemi ndenjur të heshtur e as indiferentë. Ne kemi qenë dhe jemi qartësisht në anën e drejtësisë me besimin e palëkundur se i takon vetëm të drejtësisë së re të bëjë drejtësinë e munguar për 21 Janarin, në dritën e vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe me besimin te Prokuroria e Posaçme. Ne jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtësi,” thuhet në reagimin e ministrit Balla këtë 14-vjetor të ngjarjes tragjike.

Ministri Balla akuzoi “ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhëruesin politik të vrasjeve para kryeministrisë, duke sjellë edhe deklaratën e tij të asaj kohe se do të kishte njerëz të armatosur që do ta mbronin kryeministrinë gjatë protestës”.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku e cilësoi ngjarjen e 21 Janarit një dhimbje që nuk është shuar ende, por po rritet.

“Sot, 14 vjet nga rënia e 4 dëshmorëve në bulevard, dhimbja nuk është shuar por rritur. I përkujtojmë ende me besimin e palëkundur se drejtësia për ta dhe familjet e tyre, do të vijë”, shkruan Mazniku.

Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh se, në 21 Janar u vranë në bulevard para Kryeministrisë katër protestues të pafajshëm nga pushteti i Berishës. Braçe ndau në rrjete sociale një video teksa komentoi atë.

“Shikoni, të vjedhësh është një gjë – kriminale, doemos; Por të vrasësh për të vjedhur, duke vjedhur, për të mbrojtur vjedhjen e veten, është tmerr, tmerr!”, shkruan Braçe.

Deputeti socialist u shpreh se kërkesa për drejtësi nuk është kërkesë për hakmarrje.

“Pyetjen e kam për prokurorë e gjykatës! Kjo histori ka 14 vite që nuk hetohet!
Kjo histori ka 14 vite që nuk gjykohet! Nuk bëhet drejtësi! Themelet e çdo sistemi bien këtu! Çdo thirrje për drejtësi nuk është thirrje për hakmarrje; As këto proceset e tjera, me e pa lidhje me ngjarjen, por me të njëjtin pushtet kriminal, nuk janë hakmarrje; Nuk ka kush hak për të marrë, sidomos mes politikanësh. Duhet drejtësi, vetëm kaq!

Jetët e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt, Aleks Nikës, nuk këmbehen me asgjë, asnjë hak. Duhet drejtësi, kaq!”, shkroi Braçe.

Edhe Deputeti tjetër i PS, Blendi Klosi kërkoi “drejtësi për 21 Janarin” “14 vite nga vrasja e 4 heronjve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Sfida e drejtësisë së re mbetet ndëshkimi i urdhëruesve të vrasjes së katër qytetarëve të pafajshëm. Të paharruar”, shkroi Klosi. Të vetmit të dënuar për ngjarjen janë ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg. 1 nga 4

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›