E Shtunë, 31 Tetor 2026

14 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Thaçi: Gati të jemi pjesë e aleancës

24-03-2013 / Gazeta 55

Katërmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 24 mars 1999, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake. Ajo rezultoi me ndërprerjen e katastrofës humanitare dhe kapitulimin e forcave të Milloshevicit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, miratimin e Rezolutës 1244 të KS të OKB, tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe futjen e trupave të KFOR-it. 24 marsi i vitit 1999 shënon një fillim te ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësisë së saj. Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës. Këtë vit më 17 shkurt, Kosova ka shënuar 5-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe është njohur nga 99 shtete të botës.


Kryeministri Hashim Thaçi


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi uron qytetarët në shënimin e përvjetorit të 14 të fillimit të bombardimeve të NATO-s për Kosovën. Në mesazhin e urimit thuhet se, “Katërmbëdhjetë vite më parë, Aleanca veriatlantike e NATO-s intervenoi në Kosovë kundër pranisë së dhunshme të aparatit shtetëror serb në Kosovë. Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë zgjidhja e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të lirisë së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi. Aleanca e perëndimit për lirinë e Kosovës ishte rikonfirmim i fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, një luftë në mbrojtje të vlerave më kulmore të qytetërimit botëror. Në këtë ditë të shënimit të këtij përvjetori të madh, kujtojmë me nderimin dhe respektin më të lartë institucional sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata janë themelet e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës. Një dekadë e gjysmë më vonë, Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar demokratik, në rrugë të sigurt drejt integrimit në BE dhe në NATO, një shtet i tolerancës etnike, qytetare, politike, me një angazhim institucional për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Angazhimi i institucioneve shtetërore të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, është një dëshmi e qartë e frymës evropiane të Qeverisë së Kosovës, duke mos harruar në asnjë mënyrë të kaluarën, por duke ndërtuar të ardhmen prosperuese për Kosovën dhe për rajonin. Ne jemi të sigurt që në të ardhmen të afërt do të ndodhë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i përmbyllur njëherë e përgjithmonë konfliktet njëshekullore, që kanë ndodhur në rajonin tonë, duke i hapur rrugë integrimit të dy vendeve në BE dhe në NATO. Jam i lumtur të them se 14 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Kosova është e gatshme të jetë pjesë e aleancës veri-atlantike, në mënyrë që të japë kontributin e saj në përpjekjet e popujve tjerë për liri, për rend demokratik, për sundim të ligjit dhe për të drejtat e njeriut. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës përherë me krenari dhe me mirënjohje të thellë do të kujtojnë mbështetjen e gjithanshme dhe strategjike të perëndimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përmbyllja e bombardimeve të NATO-s me lirinë e Kosovës dhe me largimin e ushtrisë, policisë dhe administratës së dhunshme serbe nga Kosovës, hapi një kapitull të ri dhe vendimtar në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës”.


Jahjaga: NATO e largoi pushtetin e Serbisë nga Kosova

Fillimi i bombardimeve të NATO-së kundër caqeve serbe, në historinë e re të Kosovës, është një nga ditët më domethënëse dhe kuptimplotë për lirinë e vendit, dhe paraqet krenari për të gjithë kosovarët, vlerëson presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Pikërisht sot para katërmbëdhjetë vitesh Aleanca Veriatlantike i nisi sulmet ajrore mbi caqet e caktuara në ish Jugosllavi, që rezultuan me kapitullimin e forcave të armatosura dhe me largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova”, tha Atifete Jahjaga.
Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, 14 vjet pas këtij akti, zonja Jahjaga thekson se ky veprim i Paktit Veri-Atlantik demonstroi se secili popull e ka të drejtën që të jetoj i lirë në tokën e vet, i barabartë dhe i dinjitetshëm.
“Ne sot jemi krenarë dhe ndjejmë falënderimin më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të vendeve anëtare të NATO-s, që dhanë kontributin e tyre të pakursyer që të ndalet gjenocidi mbi një popull dhe që në këtë pjesë të Evropës përfundimisht të mbretërojë paqja, që popujt dhe vendet të jetojnë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim ndërmjet veti”, thuhet në komunikatë.
Më tej, ajo ka theksuar se “Republika e Kosovës, një sukses i yni i përbashkët, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar në parimin qytetar dhe me shoqëri demokratike në të cilën të gjithë njerëzit i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta, pa asnjë dallim”.
Zonja Jahjaga thotë se “Vendi ynë sot falë angazhimit të të gjithë qytetarëve, përkushtimit të të gjithë shoqërisë, po ndërton një shoqëri të drejtë, të mundësive të barabarta, një shtet me rend dhe sundim të ligjit dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›