E Diel, 1 Nëntor 2026

14 vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, ceremoni përkujtimore në memorialin, pranë selisë së PD-së

12-09-2012 / Gazeta 55

Partia Demokratike organizon sot në orën 10:00 në selinë e saj, një ceremoni përkujtimore për “Nderin e Kombit Azem Hajdari”, në 14 vjetorin e vrasjes së tij.
Në memorial do të vendosen kurora lulesh në emër të Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, Nënkryetarit të Partisë Demokratike Astrit Patozi dhe në emër të Kryesisë së PD-së. Në këtë ceremoni do të marrë pjesë Kryetari i PD-së Sali Berisha, anëtarë të Kryesisë, Deputetë, Ministra dhe anëtarë të Partisë Demokratike. Tribuni legjendar i lirisë së shqiptarëve Azem Hajdari, dhe sivllau i tij Besnik Çerja, u ekzekutuan në 12 shtator 1998 nga falangat terroriste të shtetit të asaj kohe. Studenti Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998.
Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate. Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi Hajdari tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi. Në gusht të vitit 1997 bandat e krimit i zënë pritë në Sarandë, në Qafën e Buallit. Më 18 shtator të vitit 1997, mbetet i plagosur i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i Partisë Socialiste Gafurr Mazreku, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë. Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, të cilat qëlluan me breshëri plumbash në makinën e tij që për fat ishte e blinduar, ku përveç të tjerëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar. Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Më 12 shtator 1998 vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës. Lajmi për vrasjen e Azem Hajdarit, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›