Urdhri i Ramës: “Hiqet dogana e imunitetit, ngrihet dogana për biznesin”
Komisioni i Legjislacionit i hapi rrugën një procedure njëjavore të seancave dëgjimore për ndryshimet kushtetuese, përballë habisë së opinionit publik, i cili kuptoi se deputetët socialistë s’dinin të deshifronin sms-të e kryetarit. Por llogorja bllokatore u ngrit gjetkë në të njëjtën ditë, u ngrit kundër biznesit të madh shqiptar dhe kundër sistemit të konsoliduar të tatim-taksave të shtetit
Partia Socialiste “harron” murin e ngritur kundër heqjes së imunitetit, duke nxitur dhe motivuar ekstremisht korrupsionin dhe paralajmëron për një betejë të ashpër kundër zhvillimit të biznesit, nëse PS vjen në pushtet. Pamundësia për të mbrojtur draftin e propozimeve për ndryshimet kushtetuese në Këshillin e Legjislacionit i detyron socialistët të shpërqendrojnë objektivin e sferës së bllokimit dhe sipas rregullit soc-komunist radhën për t’u shtirë në dorë e ka ekonomia. Në cilin vend të botës demokratike bizneset nuk i paguajnë detyrimet tatimore shtetit? Apo shqetësimi më i madh i Ramës është përligja e bizneseve informale të bashkëpunëtorëve pranë tij? Këto të fundit nuk janë aspekte të padëgjuara pasi lulëzimin e tij, biznesi informal e ka patur gjatë qeverisjes 8 vjeçare të socialistëve. Dhe ai që e pëson është në radhë të parë shteti dhe më pas biznesi në tërësi.
Propozimet e tipit marksist se biznesi i vogël s’duhet të paguajë taksa dhe tatime janë sa demagogjike aq edhe utopike për sa kohë shteti ka mekanizmat e tij që synojnë çlirimin e biznesit të vogël nga taksat. Pra, rreziku është hedhja në erë e një sistemi ekonomik të ndërtuar me shumë mundim, për t’i hapur rrugë informalitetit dhe fitimeve të paligjshme të Edi Ramës dhe Co.
Krahas bllokimit të imunitetit, PS gjen momentin që të çelë një tjetër front krize me qëllim bllokimin dhe këtë radhë në synimin e objektivave destruktive është biznesi. Lufta ndaj biznesit, sidomos biznesit të madh, ka qenë në vazhdimësi në fokus të sulmeve politike të PS që prej momentit kur vjelja e të ardhurave nga tatim-taksat arritën shifra rekorde, të padëgjuara para 2005-ës. Kjo ishte një nga armët më të forta të qeverisë në rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe nxitjen e investimeve infrastrukturore në çdo cep të vendit. Atë që sot është një histori suksesi, opozita po investohet drejt shkatërrimit dhe rrënimit ekonomik si qëllimi primar i përfitimit politik të Edi Ramës dhe shpurës së tij. Tendencat komike për të bërë shpirtmirin me biznesin, atëherë kur Rama është një nga armiqtë e betuar të tij janë thjesht caqet e lëna bosh nga konsumimi i çdo lëvizje tjetër për të prodhuar krizë dhe ngërç. E gjithë kjo hedh në erë pretendimet e socialistëve se depozitimi i paketës për ndryshimet kushtetuese është vërtetë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.
Kjo s’është aspak e vërtetë sepse PS, sa herë ndjen rrezikun e votës elektorale, ngre barrikadat e bllokimit jo vetëm të reformave, por edhe të perspektivës së integrimit evropian. E njëjta përgjigje vlen edhe për deklaratat demagogjike lidhur me heqjen e taksave të biznesit të vogël, pasi në të vërtetë synohet shkatërrimi i sistemit të konsoliduar të tatim-taksave të shtetit dhe legjitimimi i ekonomisë dhe biznesit informal të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.