Imuniteti në duart e miliarderëve të terrorizuar!
Ndodhi që një parti e madhe opozitare të kishte mbetur pa kryetar, sepse “kapua” i saj kish dhënë dorëheqjen, mbasi kish humbur zgjedhjet e përgjithshme. Të mbetur si peshku pa ujë, shumë mëkatarë brenda saj, zgjodhën një kryetar të ri, një lloj Haxhi Qamili i moderuar. Mirëpo, meqë ky “reformator” krizash artificiale njihej si tip liberal, nuk e nisi detyrën duke mos përfillur mendimin ndryshe. Jo! Përkundrazi! Të mos cënonte gjoja frymën demokratike, ai klithi për mbrojtjen e parimit “një anëtar, një votë” dhe shpalli me solemnitet aksiomën “humbje, dorëheqje!”. Mirëpo ditët u rrokullisën shpejt dhe kryetari i ri u fut në hall, se iu desh të jepte edhe ai vetë dorëheqjen, meqë humbi zgjedhjet. Atëherë u kujtua që i duhej një këshilltar dhelpër, ndaj caktoi pranë vetes si të tillë një lloj intriganti, një milioner të ri, i dalë nga radhët e hajdutëve marifetçinj. Dhe i kërkoi t’i zgjidhte ngërçin e dorëheqjes. Në fillim kryetari u skandalizua, kur milioneri dhelpër e këshilloi të mblidhte kuvendin e partisë dhe aty të kërkonte largimin e vet nga kreu i partisë. Mirëpo, me të dëgjuar “kushtin” se dorëheqja do të jepej, vetëm po t’i kish humbur vërtet zgjedhjet, kuptoi dredhinë dhe u qetësua. Prandaj deklaroi me pompë dorëheqjen, por... mbasi të vërtetohej që humbja qe e vërtetë. Kështu filloi ajo krizë artificiale, që mori emrin “Hapni kutitë!”. Mirëpo, porsa kryetari dhe salla e kuvendit partiak, të kënaqur, brohoritën “Rroftë Haxhi Qamili!”, gazetarët kuptuan se kutitë e votimit nuk do të hapeshin, mbasi, duke mos paraqitur asnjë fakt e provë për vjedhje, a manipulim votash, “hapja e kutive” ishte antikushtetuese. Pikërisht atëherë këshilltari milioner lëshoi porosinë, sipas së cilës absurditeti i hapjes së kutive duhej trajtuar me seriozitetin, që kërkon shenjtërími i votës së lirë. Qe atëherë që kryetari i ri, ky “sozí” i Haxhi Qamilit, mori pozën e një misionari, aq sa arriti të deklaronte se nuk qënkësh politikan, kurse milioneri intrigant, me këshillat e tij për bojkote e bllokime, e nxori fare jashtë lojës politike partínë. Gjithsesí, kryetari mbeti rishtas kryetar, kurse milioneri dhelpër përgatiti platformën e shpifjeve e të trillimeve të Kuvendit. Ky ishte “revolucioni” paqësor i këshilltarit të rafinuar milioner!...
Ndërkohë në parti sikur kish nisur të zbehej ca roli i këtij këshilltari, pasi kishin dalë e po bënin ligjin ca hajdutë më të pasur, ca miliarderë, të lidhur bisht më bisht me neobllokmenë, që, së bashku, po kërkonin të “rilindnin” epokën e “qoftëlargut”. Kurse kryetari, që tani po shndërrohej prej tyre në një “kukull” dhe po kurdisej si sahat muri nga ustallarët e “biografísë” dhe “parasë së pistë”, e bënë këshilltarin e kryetarit të bindej se, për të mbijetuar në atë xhungël, i duhej të bënte aty një lojë të dyfishtë. Prandaj studioi së pari ç’e lidhte kryetarin me ortakërinë “miliardero-neobllokmene”. Por, për këtë lidhje të ngushtë u bind, kur dëgjoi që kryetari aq kapadai po kërkonte ndjesë për gabime, me të cilat dikur qe mburrur dhe kur pa që ai po mohonte sot atë që kishte pohuar dje. Atëherë këshilltari ogurzí kuptoi se të dyja palët kishin të përbashkët mbrojtjen e vjedhjeve, vonesën e integrimit deri sa Europa t’i pranonte si hajdutë dhe ajo të bënte këtu, në Shqipërí, siç thoshin “dallibashët” e skotës së ideatorëve të bashkautorësísë në krimin ekonomik. Kaq iu desh këshilltarit, pra, për ta porositur kryetarin e partisë opozitare të mos e pranonte heqjen e imunitetit. Veçse kjo duhej realizuar sipas taktikës “pohó për të mohuar !”, domethënë, ulërí për heqjen e imunitetit dhe vër “kushte”, për ta shtytur atë për në kalendat greke. Kërko jo heqje, por kufizim të imunitetit, me qëllim që punët të kokolepsen nëpër amendamente. Kështu, thosh ky efendi milioner, edhe integrimi vonohet, edhe paratë e qelbura mbrohen, edhe transparencës i vihet kufiri te thana, edhe flamuri i statusit kandidat mbetet në krahun e atyre, që nuk e kanë për zemër integrimin ! Por kështu edhe mbijetohet në politikë, meqë fitorja e “revolucionarëve” po dukej tashmë si ato pashkët, që tregohen të largëta prej “bathëve të priftit”, domethënë siç po shfaqen sot çdo ditë nëpër qarqe ca sherrnaja, që kanë plasur brenda radhëve të partisë, dikur “monolite” ! Ndërkohë, thosh këshilltari, nuk duhej reshtur së klithuri për integrimin, për heqjen e imunitetit dhe sidomos për platformën e “rilindjes”, d.m.th., për kthimin e vendit në epokën e frikës dhe të privilegjeve klasore, krejtësisht të pamerituara!