‘Aktori në Kuti’ shfaqet në Varna
Më 3 gusht (sot), shfaqja "Aktori në kuti", me tekst, regji dhe interpretim të aktorit kosovar, Mentor Zymberaj, do të prezantojë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To The Stars”, i cili mbahet në Varna, në Bullgari.
Është ky edhe një promovim dhe një pjesëmarrje tejet e rëndësishme e artit kosovar në botë, meqenëse bëhet fjalë për një festival prestigjioz të monodramës. Në kuadër të festivalit “To The Stars” do të organizohet Dita e Kosovës (Day of Kosova), njësoj siç do t’i kenë ditët e tyre edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse. Në fund, organizatorët do të përzgjedhin monodramat më të suksesshme botërore, duke ndarë çmime edhe për pjesëmarrësit edhe për shtetet pjesëmarrëse
Ndryshe shfaqja "Aktori në kuti" ka shënuar suksese të mëdha deri tani, duke marrë pjesë dhe prezantuar një nivel të lartë të kulturës dhe artit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Shfaqja “Aktori në Kuti” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT.