‘Bardhësia’ e komandantit
Qamil Ilazi ishte komandant i Brigadës 162, ”Agim Bajrami”, në Zonën Operative të Nerodimes, dhe u vra më 14 maj të vitit 1999 në Malet e Sharrit, në thellësi të Malësisë së Kaçanikut.
Afrim Mustafa i tha gazetës se krijimi i dokumentarit të titulluar “Bardhësi Komandant Bardhi”, filloi qysh në kohën e luftës, kur trimat e UÇK’së ende po luftonin për jetë a vdekje, ndërkaq ai po bënte detyrën e reporterit të luftës së UÇK’së.
“Dokumentarin e realizova kryesisht nga intervistat që me komandant Bardhin i bëra në Shtabin e UÇK’së në Ivajë, të Kaçanikut, gjegjësisht nga xhirimet më 6 e 7 mars të vitit 1999. Me net të tëra biseduam me Bardhin, ngase qëllimi ishte që të adresoheshin mesazhe të qarta nga UÇK’ja, që dita-ditës po ecte drejt fitoreve përfundimtare…”, kujton Mustafa.
Si rezultat, dokumentari përçon mesazhin drejtuar popullit dhe luftëtarëve të lirisë, se “luftëtarët s’do t’i lëshojnë kurrë armët, derisa në çlirimin e plotë të Kosovës nga barbaria serbe”, sqaron autori i tij, Afrim Mustafa.
Për realizimin e dokumentarit autentik kushtuar luftës së UÇK’së, Mustafa tregon se ka shfrytëzuar edhe intervista të tjera me komandant Bardhin, të cilat i ka realizuar gjatë viteve 1998-1999, dhe që asokohe ishin transmetuar në Radiotelevizionin Shqiptar, në Radio Tirana, në Deutsche Welle, ose që ishin publikuar në gazetat si ‘Bujku-Rilindja’, ‘Kombi’, ‘ Zëri’ dhe ‘Fakti’, por edhe në media tjera shqiptare e ndërkombëtare.
Në dokumentar prezantohen edhe opinionet e bashkëluftëtarëve dhe bashkëveprimtarëve të komandant Bardhit, si Hashim Thaçi, ish-drejtor politik i UÇK’së; Agim Çeku, ish-komandant i Përgjithshëm i Shtabit të UÇK; Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes; Hajrush Kurtaj, zëvendëskomandant i Brigadës 162; dhe të vetë familjarëve të komandantit të vrarë.
Dokumentari “Bardhësi Komandant Bardhi” është realizuar në bashkëpunim me radion Zëri i Sharrit, në Kaçanik, ndërsa regjinë e kanë bërë Afrim Mustafa dhe ish-komandanti i zonës së Nerodimes, Shukri Buja, kryetar aktual i Komunës së Lipjanit. Projektin e kanë mbështetur materialisht Komuna e Lipjanit dhe ajo e Ferizajt, Kolegji Iliria, Agim Kola nga Tirana dhe kompania zvicerano-shqiptare Arhing Project.
Premiera e dokumentarit është dhënë më 14 maj 2011, në Shtëpinë e Kulturës "Xheladin Kurtaj", në Kaçanik. Pritet që së shpejti dokumentari të shfaqet edhe në RTK.
Ndryshe, muaj më parë, Mustafa botoi edhe një monografi kushtuar të gjithë 2,073 dëshmorëve të rënë të të tri UÇK’ve.