E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeshtri nga Leipzigu

Emri i Neo Rauch ndërlidhet me atë që sot njihet si Shkolla e Re e Leipzigut, natyrisht, në suaza botërore. Nga Express më 29 korrik 2011 në ora 14:17

Shtresat e kuptimësive që ndryhen brenda atmosferës sugjestionuese të veprave në pëlhurë të artistit Neo Rauch përkujtojnë një nga formulimet provokuese të themeluesit të antropologjisë filozofike Max Scheler, në kryeveprën e tij “Pozicioni i njeriut në kozmos”: “Njeriu është një ‘Faust i përjetshëm’, një ‘bestia cupidissima rerum novarum’, një qenie që kurrë nuk gjen qetësi e prehje në të vërtetën që e përthekon, gjithnjë zhbirues, kufijtë e të qenurit tani-këtu-kështu të përthyer, i etshëm që realitetin në të cilin ai frymon ta transcedojë e bashkë me të gjitha këto edhe të vërtetën ekzistuese përmbi vetveten”.

Neo Rauch, brenda një pikture, në të gjitha rrafshet e ndërtimit kompozicional, por edhe në të gjitha dimensionet e rrezatimit përmbajtjesor, vë në lojë elemente të filozofisë empiriste; i bënë një ndërhymje fuqisë së arsyes, duke i psikologjizuar sikur në faktorët e brendshëm edhe ata nga jashtëbota, ai provon të determinojë ndjesitë.

Vepra e tij, për aq sa shpalon mundësitë e potencialeve të arsyes dhe lirisë njerëzore, po aq është në gjendje t’i bëjë një përthyerje të të gjitha dispozitave të mundësive të frymës njerëzore - atë që Max Scheler e quante “Akti i të ideuarit”, pra aftësinë që në konkreten të kundrohet e përgjithshmja. Ose, thënë ndryshe, atëherë kur e veçanta bënë të ngritet në një simbol objektiv që do të përfshinte të përgjithshmen.

“Nëse një pikturë zbërthehet drejtpërsëdrejti, atëherë kemi të bëjmë me një akt aksidental të artistit krijues”, citohet të ketë thënë Mjeshtri nga Leipzigu me rastin e retrospektivës së vitit 2010.

Artisti vë në lojë elemente nga Pop-arti, Surrealizmi, e Socrealizmi. Kundruesi përballet me figura e pamje të cilat sikur vijnë nga sekuenca të pikturimit historicist, figura që rrinë pezull, të nxjerra nga propaganda e socrealizmit; figura nga Comicstrips, ose nga librat me përralla ruse. Figurat kanë rënë përtokë pavetëdije pranë pajtoneve, ose janë vënë në kacafytje me kapilarë të trashë gjaku sa gypat e zjarrfikësve. Diçka shqetësuese pluskon nga ngjyrimet e heshtura, pozat dramatike dhe ngjarjet e mistershme, diçka si sekuenca ankthesh në ëndrra.

Pothuaj në gjithë skenën e arteve pamore, në kuptimin global, pikturat e mbushura me simbole të Neo Rauch kanë zgjuar interesim. Më tepër se kudo në ShBA, veçmas pas ekspozitës së veprave të artistit në Metropolitan Museum of Modern Art, në New York. Roberta Smith, kritikja e mirënjohur e arteve pamore i përkushton një shkrim në “’The New York Times’, përmes të cilit ngre lartë nivelin artistik të veprës së Mjeshtrit.
Ndryshe, ekspozitën e parë Neo e hapë në Leipzig, më 1998, Ndërkohë punonte edhe si asistent i profesorit Arno Rink, derisa më vonë, prej vitit 2005 e deri më 2009, merr përsipër profesurën për pikturë. Sot Neo Rauch punon në atelienë e kahershme, brenda hapësirës së një fabrike të braktisur për përpunimin e mëndafshit. Ndonëse një artist i dimensioneve botërore, në hapje të retrospektivës së viti 2010, ai thotë:
“Këtu, në Leipzig, ndjehem mirë. Përpiqem që, mundësisht, të jem këtu, sepse kur punoj dhe banoj këtu ndjehem mirë. Asgjë më shumë s’më duhet”.

Retrospektivën e madhe, e cila ishte hapur njëkohësisht në Leipzig dhe në Pikankothek, në Munchen, e kishin vizituar mbi 250,000 artdashës. Pjesa dërmuese e pikturave ishin nga koleksionet private.

Ndryshe, çmimet në treg të pikturave të Mjeshtrit janë marramendëse. Për secilën pikturë të re, sipas statistikave, ekzistojnë mbi 6,000 blerës potencialë. Andaj, edhe retrospektiva tjetër sigurisht që tërhoqi shumë adhurues të arteve pamore.

Koleksionisti i njohur, Frieder Burda ekspozon në muzeun privat 40 punime të Neo Rauch – ai,përveç artistëve tjerë, ka në pronësi edhe punime të Sigmar Polkes dhe Gerhard Richterit.

E veçanta e kësaj retrospektive është se ndër veprat e ekspozuara është edhe skulptura e parë e mjeshtrit nga Leipzigu, “Praparoja”. Kjo është një figurë bronzi, gjysmë njeri- gjysmë mace, e cila në të dy duart, mbi supet paksa të kërrusura, bartë boca benzine.

Ekspozita mbetet e hapur deri më 18 shtator.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›