‘Bombë në Beograd’ tani edhe në tregun e BE-së

Pas kërkesave të shumta nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Perëndim, shtëpia botuese DUDAJ e ka plasuar romanin në tregun e Bashkimit Evropian. Kjo ndodh nëpërmjet librarisë virtuale KOUBON & SAGNER që romanin mund t'ia dërgojë me postë secilit lexues të interesuar.
“Kjo librari merret me shitjen e librave që nga viti 1947. Unë jam shumë i gëzuar për këtë fakt sepse diaspora jonë është pjesë e rëndësishme e qenies sonë kombëtare dhe fakti se ata do ta lexojnë romanin tim, mua më jep emocione të veçanta. Unë do të jem prezent edhe në panairin e librit në Frankfurt dhe shpresoj se aty ta organizoj edhe një takim me lexuesit në diasporë”, u shpreh Albatros Rexhaj, autor i romanit.
Romani e trajton një temë nga ditët e hershme të luftës. Një rrëfim interesant ku paraqiten emocione të cilat kanë filluar të zbehen në kujtesën tonë. Romani e paraqet një anë njerëzore të luftëtarëve të lirisë dhe përkushtimin e sinqertë për lirinë e atdheut. Romani, po ashtu, në mënyrë artistike paraqet detaje nga lufta të cilat asnjëherë nuk janë përmendur më parë.
Autori Rexhaj tregoi gjithashtu se është në negociata për një përkthim të mundshëm të romanit në serbisht.