‘Falja e gjakut’, premierë në Tiranë

Filmi “Falja e gjakut”, pasi është shfaqur në disa festivale ndërkombëtare dhe ka fituar disa çmime, kthehet në Shqipëri, premiera e të cilit do të jepet më 17 shtator.
Historia e një familjeje shqiptare, e realizuar nga regjisori amerikan Joshua Martson, do të shfaqet në Kinema “Millennium” në kryeqytet.
Trajleri ka filluar të shfaqet, ndërkohë që edhe posterat e premierës janë afishuar. Filmi do të vijë për publikun shqiptar edhe pse institucionet lokale nuk e kanë mbështetur shfaqjen e tij në ekranet e kinemave në vend.
“Falja e gjakut” trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikun 17 vjeçar të ngujohet në shtëpi bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij.
Ndërkohë që përgjegjësitë e motrës së tij, Rudinës, rriten çdo ditë e më shumë për shkak të punës që tashmë i duhet të bëjë, Nikut gradualisht brenga për ëndrrat e tij të ndërprera fillon t’i shndërrohet në zemërim e më pas në rebelim, teksa ditë pas dite ai thur një plan për t’i dhënë fund gjendjes se ngujimit të tij.
Filmi është xhiruar në Shkodër dhe në të interpretojnë aktorët nga Kosova: Ilire Vinca-Çelaj, Çun Lajqi, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj, etj.