E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koordinohen bibliotekat

Nga Express më 08 shtator 2011 në ora 08:35

Në organizim të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, Sali Bashota, është mbajtur një takim me drejtorët e Bibliotekave Ndërkomunale, me qëllim të koordinimit dhe të bashkëpunimit të këtyre bibliotekave me BKUK-në.

Pas paraqitjes së shqetësimeve dhe vështirësive me të cilat ballafaqohen këto biblioteka, drejtori i BKUK-së Sali Bashota ka shprehur gatishmërinë që të ofrojë ndihmën profesionale në trajnimin e stafit, si dhe do të organizojë takime të veçanta me kryetarët e komunave me qëllim të përmirësimit të kushteve në ambientet ku funksionojnë këto biblioteka dhe pasurimin e fondeve të tyre me libra të rinj.

Me qëllimin më të mirë që të ketë një pasqyrë të përbashkët ku do të paraqiteshin informacione nga puna dhe veprimtaria e bibliotekave të Kosovës u iniciua edhe çështja e formimit të një portali të përbashkët për bibliotekat e Kosovës, që u mirëprit dhe u mbështet nga të pranishmit.

Nga drejtori i BKUK-së po ashtu u dha informacioni për organizimin e edicionit të gjashtë të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë, aktivitet ky i përbashkët mes BKUK-së dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, që do të mbahet në nëntor në Prishtinë, dhe u kërkua që edhe punonjësit bibliotekarë të bibliotekave ndërkomunale të kontribuojnë me paraqitjet e tyre me kumtesa nga fusha e Bibliotekarisë.

Së fundi drejtorët falënderuan Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për ndihmën profesionale që po u ofron këtyre bibliotekave, dhe vlerësuan se është e nevojshme që këto takime të jenë më të shpeshta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›