E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Fluturimi...’ në Beograd

Pas premierës, në kuadër të Festivalit Skena UP, shfaqja “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, e prodhuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, sipas autorit të saj, Jeton Neziraj, sot (e marte) jepet edhe në Beograd.

Shfaqja flet për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, dhe ajo trajton momentet më të rëndësishme historike të popullit shqiptar deri në shpalljen e pavarësisë së vendit. Ndërkohë, autori i shfaqjes/komedisë është Jeton Neziraj, vazhdon të ironizojë me ‘pjesëmarrjen e Qeverisë’ në këtë shfaqje. Kësaj radhe, shprehet i lumtur që në shfaqjen në Beograd “do të luajë” edhe vetë kryeministri.

“Është ky vërtet një nder i madh. Nuk ishte fare e lehtë ta bindim kryeministrin, sepse ai fillimisht hezitonte. Kjo, ngase, ai natyrisht se nuk është aktor profesionist, dhe kishte përshtypje që s’do të mund ta bëjë si duhet atë rol. Megjithatë, pas negociatave intensive, dhe pasi që e siguruam se bëhet fjalë për një dramë kombëtare, që flet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Natyrisht, për shkak të agjendës së tij të ngjeshur, kryeministri nuk ka mundur të luajë në premierën e shfaqjes në Prishtinë, e as në reprizat e saj në Tiranë e Shkup, por do të luajë vetëm në Beograd. Nuk është e tepërt që me këtë rast të zbulojë edhe një detaj, që e kam mësuar në njërin nga takimet e shpeshta që kam pasur me kryeministrin. Si fëmijë, ai ka luajtur në shfaqjen ‘Kësulëkuqja’”, thekson Neziraj në njoftimin e tij ironizues.

Ndryshe, komedia patriotike “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” është një produksion i Qendrës Multimedia nga Prishtina. Në realizimin e saj janë angazhuar artistë shqiptarë e ndërkombëtarë. Autor i komedisë është Jeton Neziraj, regjia është e Blerta Rrustemit, ndërsa në shfaqje luajnë Bajrush Mjaku, Anisa Ismaili, Adrian Aziri, Ernest Malazogu dhe Adrian Morina. Muzikantë janë italianët Susanna Tognella (violë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë); dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik është Ilir Gjocaj; skenografinë dhe kostumet janë të gjermanes Susanne Maier-Staufen; koreograf është holandezi Arthur Kuggeleyn; muzika është kompozuar nga Gabriele Marangoni; menaxhere e skenës është Sunita Kurti dhe ass. kostumografe Leonora Mehmeti.

Realizimi i komedisë është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë.

Premiera është dhënë me 5 dhjetor, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa reprizat në Tiranë dhe Shkup. Në premierën në Prishtinë kanë marrë pjesë kabineti Qeveritar i Republikës së Kosovës, ambasadorë të huaj dhe mysafirë nderi nga BE, OKB, etj.

Sipas autorit, përveç në Kosovë dhe rajon, shfaqja do të prezantohet edhe më gjerë nëpër botë, sidomos në shtetet që ende s’e kanë njohur pavarësinë e vendit. Si rezultat i lobimit direkt që do të bëhet përmes kësaj shfaqjeje, ai mendon se, të paktën edhe 10 shtete të tjera do ta njohin pavarësinë e Kosovës – përfshirë Serbinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›