Kishte edhe më mirë

Radamel Falcao e ‘teproi’. Qendërsulmuesi i Atletico Madridit hyri në histori të klubit madrilen duke shënuar pesë gola (një nga penalltia) në fitoren 6-0 ndaj Deportivo La Corunas, të dielën.
Shpërthimi i yllit kolumbian ndodhi në mbrëmjen kur Lionel Messi theu rekordin e golave brenda një viti kalendarik, që për 40 vjet u mbajt nga Gerd Muller. Mirëpo, pesë golat e Falcaos kundër Deportivos pavarësisht veçantisë së tyre, nuk paraqesin rekord, madje as në La Liga, ku kryesuesit janë basku Agustin Sauto Bata (Athletic Bilbao) dhe Ladislao Kubala (Barcelona).
Edhe Messi ka shënuar pesë herë në një duel, por në Ligën e Kampionëve kundër Bayer Leverkusenit. Kurse, Bata e Kubala kanë realizuar nga 7 gola secili në një takim të Kampionatit spanjoll. Në renditjen e përgjithshme nga ligat e shteteve kryesore evropiane të futbollit Bata dhe Kubala ndajnë rekordin me anglezin Ted Drake.
Ai në vitin e largët 1935 shënoi shtatë gola në fitoren e Arsenalit në udhëtim te Aston Villa 7-1. Njësoj nga shtatë gola në një ndeshje realizuan edhe Andre Abegglen e Jean Nicolas në Francë. Kurse, nga ligat e tjera jashtë ‘pesëshes së madhe’ në nivelin kontinental kryeson polaku Ernest Otton Wilimowski, sulmues i Ruch Chorzow i cili më 21 maj 1939 shënoi dhjetë gola në fitoren 12-1 ndaj Union Touring.
I njëjti futbollist në Kampionatin botëror 1938 me ekipin e tij përfaqësues shënoi katër herë kundër Brazilit (të fundit në vazhdime), por edhe paraqitja e jashtëzakonshme e tij nuk i mjaftoi Polonisë të kalojë tutje pasi humbi 6-5 nga Seleçao. Në Itali, primati me nga gjashtë gola ndahet nga Silvio Piola dhe Omar Sivori.
Anglia:
Ted Drake 7 gola në Aston Villa-Arsenal 1-7 (14.12.1935)
Spanja
Agustin Sauto Bata 7 gola në Athletic Bilbao-Barcelona 12-1 (8.2.1931)
Ladislao Kubala 7 gola në Barcelona-Sporting Gijon 9-0 (10.9.1952)
Franca:
André Abegglen 7 gola në Sochaux-Valenciennes 12-1 (25.8.1935)
Jean Nicolas 7 gola në Rouen-Valenciennes 9-1 (1.5.1938)
Gjermania:
Dieter Müller 6 golannë Kolon-Werder Brema 7-2 (17.8.1977)
Italia:
Omar Sivori 6 gola në Juventus-Inter 9-1 (10.6.1961)
Silvio Piola 6 gola në Pro Vercelli-Fiorentina 7-2 (28.10.1933)