E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Vrasja e legjendës’ hap festivalin teatror në Ferizaj

Festivali teatror i 42-ti me radhë, u hap me shfaqjen “Vrasja e legjendës” e autorit Dean Barett në regjisurën e Besim Ugzmajlit dhe në interpretim të Hafir Bislimit, Ali Krasniqit dhe Ekrem Jakupit. Fjalën hyrëse e bëri drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Ronit Ismajli, i cili po shfletonte interesim të fuqishëm për këtë arenë arti, ndërkohë, flakadanët e arenave romake e përshkuan parahyrjen e teatrit, të cilat po ndërlidheshin me kompozicionit ideor të shfaqjes.

Shfaqja “Vrasja e legjendës” ishte premierë, mbase dhe eksperiencë e parë e këtij regjisori me sens të veçantë kinematografik. Puna e tij u përshkua me nota meritore nga audienca dhe nga debati i cili çdo vjet shtrohet në mënyrën më të organizuar nga drejtoria e këtij institucioni. Tryezën e këtij eventi përgjatë këtij edicioni do ta drejtojë profesor Josif Papagjoni dhe Salajadin Salihu, profesor nga Tetova. Gjithsesi, shfaqja u vlerësua përgjithësisht nga debatues profilesh profesionale, ndërkohë, kishte dhe kritika në adresë të shfaqjes, njëri nga ata ishte Agron Gërguri, i cili lansoi botëkuptime, ide mbi kontekstin emocional, gjithnjë sipas tij, shfaqja nuk kishte përballje në rrafshin regjisorial për të mbërritur deri tek një katarsis.

Në të kundërt të këtij vlerësimi doli profesor Papagjoni, i cili elaboroi argument pas argumenti konceptin ideor të autorit, së pari rrjedhën e dramës, natyrën e saj, pastaj lojën e aktorit kryesor, të cilin ai e vlerësoi në veçanti për figurën diksionin, pastaj dizajnin e dritave, sidomos simbolikën e përfundimit të shfaqjes, ndër të tjera, ai përdori dhe detajet tjera shtesë, pastrimi i revoles si shpëlarje nga e keqja e saj, sikundër edhe ai pati nota kritike në pastërtinë skenike dhe në klithmat e aktores etj.

Në fokusin dramaturgjik të kësaj drame psikologjike ishte një vrasës profesionist, i cili ishte i nominuar si legjendë, si i pa prekur, i veçuar me prirje të paarritshme nga të tjerët, porse, ai gjenialiteti, ajo prirje, atij do t’i shkaktojë trazira shpirtërore dhe do të vijë një moshë kur do ta ndjej rënien mbase fizike dhe psikike, kështu do të kërkojë shkaqe, motive arsyetimi mbase për të gjetur një moment pendese nga vetvetja dhe në vetvete. Ndërkohë, do të ushtrojë dhunë në një vrasës të ri i cili imiton revolen e tij, sjelljet e tij, gjestet, ecjen, veshjen, pijen e tij, në fund, do të futet nën teatër me ashensorin e Dante Alighierit.

Në natën e dytë është paraqitur Enver Petrovci me shfaqjen “Murlin Murlo” e autorit Nikolaj Kalijada. Ishte një sintezë mbi mitin e Merylin Monroe në një rrethanë dashurie, xhelozie ose shfrenie kur bota mbindërton ideale të rrejshme, ose në momentin e caktuar e humbin adresën reale të realitetit të tyre. Në të kundërt, abuzimet që akreditohen në emër të saj, imazhet, kopjet e zbehta, ose e tanishmja do të reflektohet asgjë më tej përveç një imitimi përderisa e bukura e asaj fotografie është e vërteta artistike e njerëzore, e cila nuk do të mund të krijohej dhe njëherë. Drama zhvillohet brenda mureve të një ambienti natyralist, e zhveshur deri në dekorin më real të mundshëm. Një metaforë e ikonës në një rrethanë njerëzore. Se si shprishet një magji artistike në rrafshin njerëzor. Simbolika e saj do të zhvishet gradualisht nga galeria prej aktorëve si: Agron Shala, Vlora Nikçi, Florentina Ademi, Agron Krasniqi. Gjithsesi, regjisura e Petrovcit është frymë e një romance, detajet, humori i zi, pengesat që ai i vë në skenë, vallëzimi dhe keqkuptimet e shumta që shkaktojnë gradacione emocionale deri në një shkallë shpërthimi.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes është paraqitur shfaqja “Variacione enigmatike” nga Eric Emmanuel Schmitt, në regji të Behar Zenelajt me aktorët: Sylejman Lokaj, Nimon Muçaj, drejtor i teatrit të Pejës, përkatësisht Rudina Zhara, aktore. Ndjesia e publikut karshi asaj që po zhvillohej në skenë do të ngelet momenti më pikant përgjatë rrjedhës së repertorit teatror. Kjo shfaqje po trasonte një shkrimtar nobelist, i cili do të ikën nga rrjedha urbane për t’u ngujuar diku brenda një ishulli, me idenë që të shijojë aromën e Helenës së bukur, e cila ekzistonte si metaforë apo person fiktiv, por jo dhe si botëkuptim real, apo personazh fizik ose si aromë shpirtërore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›