E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uragani Sandy kërcënon SHBA-në

Qindra mijëra njerëz janë duke u evakuuar, derisa bregu lindor i Shteteve të Bashkuara po përgatitet për uraganin Sandy.

Uragani i kategorisë një, me erëra të fuqishme, pritet të godasë bregun të hënën në mbrëmje, ose të martën herët.

Ai pritet të kombinohet me një stuhi dimri, që vjen nga drejtimi i perëndimit, derisa ajri i ftohtë buron nga Arktiku.

Deri në 60 milionë njerëz mund të preken nga stuhia dhe tashmë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Karolinën e Veriut dhe në Konektikat.

Presidenti amerikan, Barack Obama, u bëri thirrje amerikanëve në zonat e prekura që ta marrin seriozisht stuhinë.

“Natyrisht, ne në të gjithë vendin jemi të shqetësuar rreth ndikimit të mundshëm të uraganit Sandy. Kjo është një stuhi e madhe dhe serioze dhe porosia ime e parë për të gjithë njerëzit në bregdetin lindor, në Atlantikun e Mesëm e duke shkuar kah Veriu, është që ta marrin stuhinë me seriozitet dhe të ndjekin udhëzimet e zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, sepse ata do të ofrojnë këshillat më të mira në lidhje me përballjen e stuhisë në ditët e ardhshme”, u shpreh Obama.

Më shumë se 300 mijë njerëz janë evakuuar nga pjesët e poshtme të New Yorkut. Të hënën New York Stock Exchange dhe NASDAQ qëndruan të mbyllura. Qyteti ka ndërprerë shërbimin e transportit nëntokësor, sikurse edhe Filadelfia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›