E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ç’ka mbetur nga Kadriovski?

Nga Express më 27 dhjetor 2010 në ora 20:12

Politikës shqiptare këtyre ditëve iu shtua edhe një turbullirë tjetër e radhës, që e shkaktoi Daut Kadriovski (Mehmet Hajdini). Për të në web-faqe të ndryshme hasen të dhëna tejet kontradiktore. Kush është në të vërtetë ky njeri?

Të dhënat on-line për Kadriovskin në fakt varen nga qëllimi dhe vendi i publikimit të tyre. Kështu, në web-faqet e kontrolluara nga qarqet serbe publikohen të dhëna që flasin për lidhjet e tij me shumë figura të njohura politike shqiptare, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për një shqiptar nga Maqedonia, i cili është i lindur në vitin 1948, në fshatin Crn Vrv, afër Shkupit. Kadriovski për shumë kohë është njohur si njëri nga trafikantët më të fuqishëm evropianë të drogës. Për këtë shkak ai ka qenë njëri ndër personat më të kërkuar nga policitë e shumë shteteve të botës. Është arrestuar disa herë, por gjithmonë ia doli që t’i shpëtonte qelisë së burgut. E, herën e fundit u arrestua në vitin 2001, në Golem të Durrësit, prej nga në nëntor të po atij viti u ekstradua për në Itali.

Nga burgu italian përfundoi në burgun famëkeq të Idrizovës, në vendlindjen e tij, në Maqedoni.

E për Daut Kadriovskin e sotëm thuhet se jeton në një lagje të Shkupit. Miqtë e afërt të tij thonë se viteve të fundit i ka mbetur vetëm një shok, gjegjësisht një lidhje e vetme që nuk e ka tradhtuar e që i mundëson të lidhë disi të kaluarën dhe të sotmen e tij – alkooli. Kështu që, të njëjtit edhe dyshojnë se ai mund të posedojë ndonjë lidhje me CD’në që në Tiranë u shfaq si kërcënim për të kaluarën e disa politikanëve të atjeshëm.

Miqtë e afërt të familjes Kadriovski tregojnë se Dauti tani merret vetëm me një aktivitet: me kujtimin e të kaluarës së tij – e cila është e mbuluar me mjegullën e alkoolit. Si i tillë, thonë ata, nuk është fare e vështirë që ta shtysh atë të flasë për njerëzit që i ka njohur. Ata që me Dautin janë shoqëruar kohëve të fundit - pas daljes së tij nga Burgu i Idrizovës – tregojnë se për të nuk është interesuar askush, dhe se ai i është dorëzuar mllefit ndaj njerëzve që e kanë harruar, e me të cilët dikur ka pasur miqësi.

Sa i përket CD’së aq të përfolur ditëve të fundit në mediat shqiptare, ata që e njohin dhe që kanë kontaktuar me Dautin, askush nuk beson që ai të ketë gisht në të. Të afërmit me familjen Kadriovski thonë se njerëzit e tij e kanë hallin se si ta mjekojnë dhe ta shpëtojnë nga krizat psikike dhe nga alkooli, e jo si ta shkëpusin nga aktivitetet e dikurshme, me të cilat tani nuk ka kurrfarë lidhjeje. Kjo, me gjasë, është kuptuar edhe nga qarqet policore të huaja, të cilat nuk e pengojnë më plakun që përditshmërinë e kalon me gotë në dorë.

Por, ai edhe tani flet për miqtë e tij të dikurshëm, qofshin ata të fushës së politikës, ose të asaj të kulturës, të cilëve dikur iu ndihmoi edhe financiarisht.
Nëse janë të sakta burimet e gazetës ‘Shqip’, sipas të cilave Daut Kadriovski sot është një plak i mbingarkuar nga pesha e së kaluarës dhe e alkoolit, atëherë mund të thuhet se emri i tij tani po përdoret nga ata që e dinë se Dauti i sotëm s’ka asnjë mundësi që të reagojë ndaj manipulimeve që bëhen me emrin e tij. Së këndejmi, një njohës i Daut Kadriovskit ndoshta ka të drejtë kur thotë se, e tillë çfarë është politika shqiptare dhe vetë politikanët shqiptarë, atë mund ta turbullojë kushdo, ndërkaq edhe politikanët janë të gatshëm të keqpërdorin këdo vetëm për të shkatërruar kundërshtarin. Kështu që, siç thotë ai, nuk është e habitshme që tani keqpërdoret edhe njeriu që dikur kishte para dhe mund të depërtonte deri në qarqet më të larta të elitave shqiptare, ndërkohë që sot ka vetëm kujtimet dhe shokun e vetëm ende besnik - alkoolin.

Sido që të jetë, duhet të konstatohet një e vërtetë: përderisa politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup ndërtohet mbi bazë të dosjeve e CD’ve, atë mund ta turbullojë dhe ta çojë drejt së keqes secili njeri i dehur ose esëll që thotë diçka që do t’i shkojë për shtati njërës ose partisë tjetër politike. Mbase për këtë shkak edhe politikat shqiptare iu ngjajnë biografive të alkoolistëve kronikë: e kanë një të tashme të dehur, që ushqehet me të kaluarën e politikanëve të sotëm. (Shqip)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›