“Aktori...” në Dodonë

“Aktori në Kuti”, një monodramë kjo që mori pjesë në shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare, kohë më parë u prezantua edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës - Aspindys, në Vasiginas të Lituanisë, ku u shpërblye me dy çmime.
Ishte ndër dy shfaqjet më të mira të Astpindys, duke u laureuar kështu me Çmimin Grand Prix të Festivalit. Si rrjedhojë, “Aktori...” do të hapë edicionin e ardhshëm të Festivalit në kryeqytetin Lituanisë, Vilnius, si shfaqje nderi. Shfaqja u shpërblye edhe me një çmim tjetër nga juria vendore e Lituanisë - për mjeshtërinë e rolit të realizuar në monodramë.
Shfaqja "Aktori në Kuti" u realizua në autorësi, regji dhe interpretim të Mentor Zymberajt, dhe ajo është një realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT. Shfaqja brenda këtyre dy viteve ka fituar 12 çmime ndërkombëtare, duke prezantuar kështu suksesshëm kulturën kosovare në artin skenik në Evropë e më gjerë.
Për nder të këtij suksesi, më 9 nëntor, duke filluar nga ora 19:30, kjo shfaqje do të inskenohet edhe në Teatrin Dodona.
Çmimet e fituara nga shfaqja “Aktori në Kuti”:
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Korçë - ALBAMONO, 2008;
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Manastir 2009, Maqedoni (e nominuar për Çmimin Grand Prix);
Festivali Ndërkombëtar i Monoperformansave –VIDLUNJA, 2009, në Klemenitski, Ukrainë (e përzgjedhur ndër dhjetë monodramat më të mira të edicionit të 10’të dhe fituese e Çmimit të shikueseve “Bravooo”);
Festivali i Teatrove në Therandë - Fest Kosova, 2010, (e nominuar për Çmimin Grand Prix);
Festivali Ndërkombëtar i Monoperformansave - BGMOT 2010, Gabrovo, Bullgari (fitues i çmimit kryesor të festivalit dhe e i atij për aktorin më sensitiv në shprehjen skenike);
Festivali Ndërkombëtar Skena Verore e Ulqinit, 2010;
Festivali Ndërkombëtar i Teatrove - Teatri Ndryshe, 2010, Kosovë (fitues i Çmimit Aktori më i mirë);
Festivali Ndërkombëtar i Teatrove - Actor of Europe, 2010, Prespe, Maqedoni (Fituese e çmimit prestigjioz Aktor i Evropës);
Festivali Ndërkombëtar i Monoperformansave - Alone in the Stage, 2010, Trencin, Sllovaki;
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës – MonoAKT, 2010, Kosovë (fituese e Çmimit Nderi i Qytetit të Pejës);
Festivali Ndërkombëtar i Monoperformanses - ASTPINDYS, 2011, Visaginas, Lituani (e nominuar për çmimin Grand Prix dhe e përzgjedhur ndër dy shfaqjet më të mira të Festivalit. E shpërblyer për mjeshtërinë në realizimin e rolit në monodramë, nga Juria Profesionale e Lituanisë).