Manipulohen
Javën e kaluar disa shtëpi filmike u tërhoqën nga konkursi i Qendrës Kinematografike të Kosovës për përkrahje të projekteve filmike dhe njëherit kërkuan nga Ministria e Kulturës që të shkarkojë drejtorin e QKK-së Fatos Berisha dhe Këshillin Drejtues.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e këtyre shtëpive filmike, të prirë nga aktori Blerim Gjoci, i cili njëherit është edhe drejtor i kompanisë filmike The Group Prishtina Film, shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me dyshimet në punën QKK-së dhe akuzuan udhëheqësit e kësaj qendre për shkelje të Ligjit për Kinematografi dhe si rezultat i kësaj kërkuan shkarkimin e drejtorit dhe Këshillit Drejtues të QKK-së.
Mirëpo, dy prej përfaqësuesve të shtëpive filmike u shprehen se kanë qenë të manipuluar në lidhje me kërkesën për shkarkim të drejtorit të QKK-së dhe Këshillit Drejtues. Ata as që kanë qenë në dijeni lidhur me këtë kërkesë. Valon Jakupaj, përfaqësues i Gegnia Film dhe Berat Keqekolla u shprehen për Express se i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për t’u tërhequr nga konkursi, mirëpo nuk e kanë ditur se bashkë me këtë tërheqje do të kërkohet edhe shkarkimi i drejtorit dhe Këshillit Drejtues të QKK-së.
“Tërheqja e projektit tim ka ardhur si rrjedhojë e asaj që më është thënë se krejt projektet do të tërhiqen nga konkurrimi për shkak të shkeljeve të Ligjit për Kinematografi, që janë prezantuar nga Blerim Gjoci. Mirëpo, në asnjë mënyrë mua nuk më është thënë se me tërheqjen e projektit tim kompania ime kërkon shkarkimin e drejtorit të sapozgjedhur të QKK-së Fatos Berisha dhe po ashtu të Këshillit Drejtues të këtij institucioni”, theksoi Jakupaj.
Meqenëse nuk ka qenë i pranishëm në konferencën për media, Jakupaj kërkesën e kineastëve e ka kuptuar në media dhe ka mbetur i habitur kur e ka parë se kompania e tij kërkon shkarkimin e drejtuesve të QKK-së.
“Dëshiroj të sqaroj edhe një herë pozitën e Gegnia Film se nuk më është treguar e vërteta në telefon nga Blerim Gjoci, i cili më ka kërkuar ta tërheq projektin nga QKK-ja. Unë i kam thënë Blerimit se tërhiqem vetëm nëse shumica e projekteve janë tërhequr me pretekstin se nuk do të jem i vetmi projekt që nuk është tërhequr prej atyre që kanë konkurruar”, u shpreh Jakupaj. Ai thotë se e përkrah vendimin e jurisë, duke theksuar se për herë të parë kanë bërë një ndryshim rrënjësor në përzgjedhjen e skenarëve.
Edhe Berat Keqekolla, i cili ka konkurruar me një projekt të tij në konkursin e QKK-së dhe javën e kaluar u tërhoq nga konkursi, thekson se në bisedë telefonike me Blerim Gjocin e ka kuptuar se konferenca për media ka pasur për qellim tërheqjen e tyre nga konkursi dhe vetëm kaq.
“Mbas konferencës, unë kontaktova në telefon me Blerimin dhe i tregova se unë nuk qëndroj mbrapa atyre akuzave dhe kërkesës për shkarkim të drejtorit”, tha Keqekolla. Ai tregon se arsyeja e tërheqjes nga konkursi ka qenë njëri prej anëtarëve të jurisë, i cili sipas Keqekollës, gjatë prezantimit të projektit të tij, ka treguar një joprofesionalizëm të tmerrshëm. Dhe prania e këtij anëtari të jurisë e ka detyruar Keqekollën që të tërhiqet nga konkursi. Ndërsa sa u përket kërkesave për shkarkim, ai thotë se nuk i përkrahë ato.
Në anën tjetër, Blerim Gjoci shprehet se kjo ka të bëjë me guximin të ngritësh kundër padrejtësive dhe kundër atyre që e shkelin ligjin.
“Në Kosovë është guxim i madh të ngritësh kundër padrejtësive dhe kundër atyre që e shkelin ligjin. Në këtë hap disa kompani që i janë bashkangjitur iniciativës, personalisht i quaj me shumë guxim. Edhe tërheqjen të disave prej tyre e quaj plotësisht të arsyeshme”, u shpreh Gjoci. Ai shtoi se një ditë më herët ka kërkuar nga të gjitha kompanitë që të vijnë rreth gjysmë ore para konferencës për shtyp me qellim që të kenë një deklaratë të përbashkët. Ata që nuk kanë qenë në konferencë, më herët ia kanë aprovuar atij me telefon mbështetjen për iniciativën.
“Deklarata doli si rrjedhojë e shkeljeve në QKK, për ç'arsye si rrjedhojë logjike ishte edhe kërkesa për shkarkim, sidomos duke ditur se ne shqiptarët disi jemi amputuar nga përgjegjësia dhe askush nuk ndien përgjegjësi për të dhënë dorëheqje. Në rastin tonë madje as kur ministria kërkon anulimin e rezultatit dhe respektimin e ligjit”, tha Gjoci.
Ai shtoi se i vie keq nëse u ka shkaktuar kokëçarje kompanive në fjalë.