“Fusnota” izraelite

Me filmin më të ri “Footnote”, Izraeli u bë shteti me më së shumti nominime gjatë periudhës së fundit pesëvjeçare.
Një rezultat i tillë tregon se krijimtaria filmike izraelite po përjeton një renesancë, përkundër kushteve të varfra të produksionit dhe sukseseve të munduara sa i përket fitimeve nga arkat e kinemave. Veç kësaj, filmat izraelit janë bërë të dashur për festivalet filmike nëpër botë.
Një sukses i tillë ekziston, përkundër reputacionit problematik të Izraelit –mbase pikërisht edhe shkaku i tij, vlerëson AP.
Tre filmat e fundit izraelitë që hynë në mesin e filmave “të huaj” të nominuar për Oscar inspirimin e gjejnë në problemet shumëvjeçare të shtetit çifut me fqinjët e tij arabë. "Beaufort (2008) dhe "Valsi me Bashirin”(2009) merren me përvojat e ushtarëve izraelitë në Liban, përderisa “Axhami” (2010) temë ka tensionet në raportet izraelito-arabe në një paralagje të Tel Avivit. Kandidati i sivjetmë për Oscar është filmi “Footnote” (Fusnota), i cili shfaq një konflikt të brendshëm: dy profesorë të Talmudit – babë e bir - konfrontohen mes vete për prestigjin akademik dhe për një çmim shtetëror.
Filmat e dikurshëm izraelitë ishin një turp, sepse bërja e disa melodramave të lira ushte normë e viteve të 60’a dhe të 70’a të shekullit të kaluar. Këta të ashtuquajtur “byrek-filma” –që janë ekuivalentë izraelit të spaggetti-western’ëve – merreshin me trajtimin e stereotipeve etnike të evropianëve dhe të çifutëve nga Lindja e Mesme.
Por, një grup filmbërësish çifutë, të ngopur me klishe të tillë, më 1979 themeluan fondit e filmit izraelit, të cilin simbolikisht e quajtën “Fondi Izraelit për Nxitjen e Filmave Kualitativ”.
Meqenëse studiot filmike dhe burimet private financiare nuk investonin pothuajse fare në filma, filmbërësit u detyruan të bazoheshin në fonde publike, edhe pse as kjo mbështetje nuk i ndihmoi kinematografisë izraelite që të avancojë shumë për dy dekada.
Më 1995, Qeveria e Izraelit përgjysmoi financimin e filmave, kështu që mjetet e mbetura mjaftonin vetëm për pesë filma në vit. Tre vjet më vonë u realizua minimumi historik i të ardhurave: vetëm 0.3 përqind e shikuesve izraelitë vizatuan kinematë dhe shikuan filma të xhiruar në hebraisht.
Ndërkohë, fondi për nxitjen e filmave kualitativ izraelit ndërroi emrin në Fondi Filmik Izraelit, dhe në vitin 2000 arriti që përmes parlamentit të shpëtojë kinematografinë vendore. Buxheti vjetor për prodhimin e filmave artistik u rrit në 10 milionë dollarë – por në këmbim të detyrimit që t’iu jepej shansi autorëve të rinj.
Regjisorit të filmave "Beaufort" dhe"Footnote", Joseph Cedar, kjo gjë i mundësoi të depërtonte pas përfundimit të shkollës filmike, sepse xhiroi filmin e parë të metrazhit të gjatë "Time Of Favor" (2000).
Së shpejti, përpos shtetit, në industrinë filmike izraelite filluan të investonin edhe producentët evropianë dhe kanadezë, duke rritur kështu buxhetin filmik në 15 milionë dollarë në vit, ndërkohë që vetë numri i filmave të prodhuar shkoi në 20.
Paralelisht, lulëzoi edhe industria televizive - ngase në fillim të viteve të 60’a u thye monopoli i televizionit njëkanalësh shtetëror, gjë që rezultoi me ofrimin e përmbajtjeve të reja dhe nxiti kreativitetin dhe konkurrencën ndërmjet skenaristëve lokalë. U arrit madje që pronarët e mëdhenj televiziv nga Hollywoodi të fillojnë me përpunimin e serive televizive izraelite për shfaqje në tregun amerikan. Kështu, për shembull, ribërja e dramës izraelite "Prisoners of War" u bë hit i televizionit kabllor amerikan ShowTime.
Mirëpo, pavarësisht gjithë këtyre sukseseve, sasia e parave të cilën Izraeli e ndanë për prodhim të filmave paraqet vetëm një pjesëz të vogël të buxheteve që për këtë qëllim e ndajnë shtetet e ndryshme evropiane.